Merkel refuzon ofertën për punë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka refuzuar një ofertë pune nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Guterres i kishte kërkuar Merkelit të kryesonte një bord këshillues të udhëhequr nga ish-krerë shtetesh dhe qeverish.
“Merkel foli me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së javën e kaluar, e falënderoi dhe e bëri të ditur se ajo nuk do ta pranonte ofertën”, tha zyra e Merkelit.
Guterres thuhet se ia bëri ofertën Merkelit drejtpërdrejt, raporton DPA.
67 vjeçarja konservatore nuk kandidoi në zgjedhjet federale të shtatorit dhe u tërhoq nga politika kombëtare gjermane në fund të vitit të kaluar pas 16 vitesh në krye si kancelare.
Merkel kishte treguar shumë pak në publik për planet e saj pas largimit nga kancelaria.
Bordi këshillimor i propozuar nga Guterres është një nga projektet kryesore reformuese të Sekretarit të Përgjithshëm për OKB-në në mandatin e tij të dytë, i cili filloi në janar.
Paneli do të identifikojë të mirat publike globale dhe fusha të tjera me interes të përbashkët ku përmirësimet e qeverisjes janë më të nevojshme dhe të propozojë opsione se si mund të arrihet kjo.