Merkel: T’i sjellim në rrugë të duhur Kosovën dhe Serbinë
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, në një konferencë për media para fillimit të Samitit të Berlinit ka thënë se janë bërë bashkë me Presidentin e Francës, Emanuel Macron, për të diskutuar çështje të ndryshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Merkel ka thënë se në këtë diskutim do t’i japim një shtysë këtij rajoni pasi që është në interesin e tyre.
“Këtu jemi bashkë që të njoftojmë për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të merremi me çështjet e ndryshme që t’i japim një shtysë më të madhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra ne së bashku Gjermania dhe Franca. T’i japim një shtysë sepse ky rajon është në interesin tonë”, ka thënë ajo.
Merkel ka thënë se në këtë takim do të bisedohet për çështjen e Kosovës dhe Serbisë, që sipas saj t’i sjellin në drejtimin e duhur të dy vendet.
“Kemi pasur një rast si Maqedonia me Greqinë që na ka dhënë shpresë për të zgjidhur çështje të ndryshme. Por, përveç këtyre, ka tema të tjera, sidomos gjatë darkës do të diskutojmë për çështjen e Kosovës dhe Serbisë, që të shohim se çfarë mund të bëjmë, që t’i sjellim në një drejtim të duhur këto vende. Shpresoj të kemi diskutim shpresëdhënës në lidhje me këto çështje”, është shprehur Merkel.
“Do të doja të iu njoftoja se ky nuk është një format zyrtar është takim informal që të diskutojmë çështje të ndryshme dhe bilaterale. Falenderoj presidentin francez që ka ardhur në Berlin dhe shpresoj që kemi diskutim qenësor që të vazhdojmë me procesin përpara”, është shprehur ajo.
Kujtojmë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e mbajtur pas takimit me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini theksoi se në takim nuk do të bisedohet për shkëmbim territoresh.
Ndër të tjera Thaçi në këtë konferencë përmendi edhe taksën që Kosova i ka vënë Serbisë, duke thënë se nëse Serbia vazhdon të sillet me agresivitet, Kosova do të vë masa reciprociteti për të./rtklive