Merkeli: BE-ja nuk e ndryshon marrëveshjen e Brexitit
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë të mërkurën se Bashkimi Evropian (BE) është duke këmbëngulur në marrëveshjen ekzistuese për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Merkeli, e cila të martën ka takuar kryeministren Theresa May, ka thënë se gjërat po ndryshojnë në Londër, transmeton “AP”.
Ajo nuk dha shumë detaje, po ka thënë se Bashkimi Evropian “nuk e ka ndërmend të ndryshojë marrëveshjen e tërheqjes së Britanisë së Madhe”.
Merkeli ka shprehur angazhimin e Gjermanisë për të siguruar një dalje të rregullt të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, ka ndërmarrë një turne bisedash me udhëheqësit evropian, në përpjekje për të bindur ata që të ndryshojnë marrëveshjen e Brexitit, pasi e njëjta nuk e ka mbështetjen e Parlamentit britanik.
Nëse Britania largohet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje, pasojat parashikohet të jenë në tregjet financiare dhe tregti.