Merkeli: Do bisedojmë në Këshillin e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shprehur mbështetjen e saj për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas një takimi me homologun kroat, Andrej Plenkoviq.
Në një konferencë për medie me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, duke folur për samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, Angela Merkel ka thënë se “është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Kancelarja gjermane është shprehur pro çeljes së negociatave me të dy vendet njëherazi, si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Shqipërinë: “Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vettingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, ka thënë ajo.
Merkel ka kujtuar po ashtu edhe se Maqedonia e Veriut e ka plotësuar kushtin që bllokonte deri tani çeljen e negociatave, arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.
“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, ka thënë kancelarja gjermane.
Merkeli ka thënë se pas mosarritjes së një marrëveshjeje vitin e kaluar, tani do ta trajtojmë çështjen edhe në samitin e Këshillit të BE-së në Bruksel, qysh në muajin mars.
Vëzhgues në Berlin llogarisin se nuk do të ketë marrëveshje para samitit të Ballkanit Perëndimor në Zagreb, pra në maj të këtij viti.
Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron, frenuesi kryesor i zgjerimit të BE-së, kishte dhënë sinjale zhbllokimi të qëndrimit të tij pas një takimi në Paris me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, (7.01.2020).
Plenkoviqi e ka përmendur në Berlin takimin e tij me Macronin, por nuk ka dhënë detaje.
Kroacia dhe më pas Gjermania kanë në dorë kryesinë e radhës së BE-së.
Plenkoviqi ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në panairin e produkteve ushqimore, Java e Gjelbër, në edicionin e sivjetshëm të të cilit, Kroacia është vend partner./DW/