Merkeli edhe zyrtarisht kancelare e Gjermanisë
Angela Merkel është rizgjedhur kancelare e Gjermanisë sot, duke zyrtarizuar kështu mandatin e katërt të saj në postin më të lartë të këtij shteti.
Mes 709 votave të deputetëve gjermanë, përmes një votimi të fshehtë në “Bundestag”, 364 vota shkuan në favor të mandatit të ri të 63-vjeçares, udhëheqëse e kristiandemokratëve të CDU-së, ndërsa 315 vota ishin kundër.
Vetëm 9 deputetë abstenuan në këtë proces votimi.
Merkeli ka bërë betimin në rezidencën e presidentit, Frank-Walter Steinmeier në qendër të Berlinit.
Me këtë votim ka përfunduar bllokada politike disa mujore në vendin evropian me ekonominë më të madhe.
Rritja e partisë së krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet e muajit shtator të vitit të kaluar ka dobësuar partitë e tjera, duke përfshirë partinë e Unionit Kristian Demokrat (CDU) të kancelares Merkel.
Për këtë arsye ajo është detyruar të bëjë koalicion me Partinë Social-Demokrate (SPD).