Merkeli kërkon veprime të shpejta kundër ndryshimeve klimatike
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka theksuar nevojën për të përshpejtuar luftën kundër ndryshimeve klimatike, pasi numri i viktimave nga përmbytjet shkatërruese në Gjermani ka arritur të enjten në 177.
Merkeli ka thënë se Gjermania dhe vendet e tjera “nuk kanë bërë aq sa duhet” për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius – një qëllim ky i vendosur me marrëveshjen e Parisit për klimën.
“Nuk duhet të pretendojmë se nuk kemi bërë asgjë, por është e vërtetë që nuk është bërë aq sa duhet për të qëndruar nën 2 gradë dhe sa më afër 1.5-shit”.
“Kjo nuk është e vërtetë vetëm për Gjermaninë, por për shumë vende në të gjithë botën, prandaj duhet të rrisim ritmin”, u ka thënë Merkeli gazetarëve.
Kabineti i saj ka miratuar të mërkurën një paketë emergjente, në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh, për të ndihmuar rajonet e prekura.
“E kemi bërë të qartë se kjo shumë do të rritet nëse nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Merkeli.
Dy landet më të goditura nga përmbytjet e javës së kaluar janë: Rajnland Falc dhe Nordrajn Vesthalen.
Numri i viktimave rritet ende, pasi ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gjejnë trupa që janë zhdukur në përmbytje.
Kreu i agjencisë kombëtare të menaxhimit të katastrofave në Gjermani, Armin Schuster, ka pranuar të enjten se ka pasur probleme me sistemet paralajmëruese të përmbytjeve.