Merkeli, Ramës: Shqipëria ka shënuar progres, vazhdoni me reforma shtetërore
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin është pritur të mërkurën në takim nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Pas këtij takimi Rama dhe Merkeli kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie.
Merkeli ka theksuar se Shqipëria ka bërë progres në shumë fusha, duke shtuar se Gjermania në ditët e ardhshme do të vendos për çështjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian (BE).
“Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit. Shqipëria ka punuar tashmë shumë për disa gjëra. Në ditët në vijim do të krijojmë opinionin tonë përfundimtar, ndërsa do të diskutojmë edhe me kolegët tanë evropianë”, ka thënë Merkeli.
Teksa e ka vlerësuar si tepër të rëndësishëm takimi me kryeministrin Rama, ajo ka thënë se Shqipëria ka bërë progres me reformën në drejtësi dhe se tashmë nevojitet një kontroll më i gjerë në polici.
“Më lejoni të them në mënyrë eksplicite se Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash dhe se është bërë përparim. Një prej tyre është vlerësimi i disa qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo gjithashtu forcon sistemin ligjor në tërësinë dhe besueshmërinë e tij. Ne e dimë se tani kontrolli duhet të zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm mund ta inkurajoj kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë me reforma”, ka thënë Merkeli.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka falënderuar Merkelin për mbështetjen e dhënë për rajonin, por në veçanti për shtetin shqiptar.
Rama ka thënë se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pas reformave të ndërmarra.
“Falënderoj kancelaren Merkel për mbështetjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit evropian dhe në këtë kontekst, Shqipërinë. Falë vizionit të tyre dhe fuqisë së integrimit, procesi i Berlinit e ka transformuar rajonin. Ne kemi bërë përparime të pabesueshme. Kur takuam në vitin 2014, folëm gjithashtu për të bërë një reformë themelore ligjore. Sot jam krenar të them këtu se Shqipëria ka kryer një reformë të thellë në fushën ligjore dhe gjyqësore, e cila është vlerësuar si e tillë nga Komisioni Evropian dhe si një model për të gjithë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Rama.
Më tutje, kryeministri Rama ka theksuar se feja e shqiptarëve është Evropa. “Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, unë shpresoj të kem mbështetjen e Gjermanisë dhe kancelares në qershor. Është shumë e qartë për ne se ky nuk është fundi. Ky është fundi i një faze dhe hapja e një faze tjetër. Ka shumë reforma, shumë sfida dhe shumë sakrifica që na presin. Kështu që, ne meritojmë të bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian. Unë kam ardhur këtu për të përcjellë kancelarit besimin tim se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim për shkak se Shqipëria e meriton atë. Shumica për Shqipërinë thotë se jemi myslimanë. Por ne jemi një vend, ku të krishterët dhe myslimanët bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Nga veriu në jug i Shqipërisë, ata kanë të njëjtën fe. Kjo fe është Evropa”, është shprehur Rama.
Rama gjatë vizitës zyrtare është takuar edhe me presidentin e Bundestagut gjerman, Wolfgang Schauble.
Bundestagu gjerman në javët e ardhshme jep qëndrimin për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në.