Merkeli: S’ka asgjë për të dërguarin special, dialogu vazhdon pas zgjedhjeve në Kosovë
Kancelarja gjermane Angela Merkel, nuk ka dashur të thotë asgjë në lidhje me raportimet se Gjermania dhe Franca mund të caktonin një të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi.
Merkeli në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Gjermania dhe Franca janë përpjekur, dhe janë ende duke u përpjekur, të iniciojnë dialogun si dhe të bëjnë diçka në lidhje me taksën e vendosur nga autoritetet e Kosovës ndaj produkteve serbe.
Ajo ka rikujtuar se procesi i dialogut është ndërprerë dhe se ky proces do të rifillojë pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.
“Deri më tani, nuk ka qenë e mundur të vendoset dialogu për shkak të taksës”, ka thënë ajo.
Kur është pyetur nga mediet nëse Berlini dhe BE-ja kanë ndonjë afat kohor kur mund të arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe nëse data e pranimit në BE ajo e vitit 2025 është akoma e vlefshme për Serbinë, Merkeli është përgjigjur: “Sa më shpejt aq më mirë”.
“Nuk ka afate kohore kur disa gjëra duhet të mbarojnë, por sa më shpejt aq më mirë”, është shprehur Merkeli.