Merkeli do të takojë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të takuar presidentin Donald Trump, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Zëvendësi i sekretarit për medie, Hogan Gidley, e ka konfirmuar vizitën e Merkelit në javët e ardhshme, por nuk dha datë të saktë.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i ka thënë agjencisë “Reuters” se vizita pritet të realizohet më 27 prill.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pritet të takojë Trumpin në Uashington tre ditë para vizitës së Merkelit.
Takimet do të zhvillohen pak kohë para 12 majit, afatit që ka caktuar Trump për përmirësimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, të nënshkruar nga ShBA-ja dhe fuqitë e tjera botërore.
Gjermania, Franca dhe nënshkrueset e tjera i kanë bërë thirrje ShBA-së që të mbetet në marrëveshje.
Me paktin e vitit 2015, Teherani është pajtuar të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij.
Trump ka thënë se Teherani është duke shkelur “frymën” e marrëveshjes me hedhjen e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen e militantëve në rajon.
Presidenti amerikan ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja nëse ajo nuk përmirësohet.