Merkeli viziton për herë të parë Aushvicin
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, viziton të premten ish-kampin nazist në Aushvic, për herë të parë në 14 vitet e saj si kancelare.
Vizita e Merkelit bëhet në një kohë kur Gjermania po shënon një ringjallje të anti-semitizmit dhe rritje të elementeve të krahut të djathtë.
Merkeli është kancelarja e tretë gjermane që vizitoi ish-kampin në Poloni.
Udhëtimi i saj është jashtëzakonisht simbolik, pasi bëhet para shënimit të 75- vjetorit të çlirimit të këtij kampi nga trupat sovjetike më 27 janar 1945.
Në prag të udhëtimit të saj, Merkel ka thënë se “lufta kundër anti-semitizmit dhe kundër të gjitha formave të urrejtjes” ishte përparësi për qeverinë e saj.
65-vjeçarja premtoi gjithashtu “vendosmëri” nga qeveria për të mundësuar që jeta e hebrenjëve të lulëzonte në Gjermani.
Merkeli do të mbajë një minutë heshtje në “Murin e Vdekjes”, vendi ku mijëra të burgosur të kampit u qëlluan për vdekje.
Gjatë vizitës, Merkeli gjithashtu do të mbajë një fjalim, si dhe të vendosë një kurorë me lulenë ish- kampin e afërt Birkenau.
“Vizita është një sinjal veçanërisht i rëndësishëm i vëmendjes dhe solidaritetit, në një kohë kur të mbijetuarit e Aushvicit janë viktima të fyerjeve anti-semitike dhe postimeve në rrjete sociale të cilat janë të mbushura me urrejtje”, ka thënë Christoph Heubner, nënkryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit.
Përpara udhëtimit të saj, Gjermania miratoi një donacion prej 60 milionë eurosh për Fondacionin Aushvic-Birkenau.
Merkeli do të shoqërohet nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki dhe një i mbijetuar i kampit.
Josef Schuster, kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani dhe Ronald Lauder, kreu i Kongresit Botëror të Hebrenjve, gjithashtu do të marrin pjesë në këtë vizitë.
Një milion hebrenj u vranë në Aushvic-Birkenau, së bashku me 100 000 polakë jo-hebrenj, robër të luftës nga ish-Bashkimi Sovjetik, romë dhe luftëtarë tjerë anti-nazistë.
Merkel e ka quajtur Holokaustin një “ndarje me civilizimin” dhe ka shprehur shqetësimin për ngritjen e anti-semitizmit në Gjermani.