Merr miratimin e qeverisë ‘Projekti emergjent Covid-19 për Kosovën’ në vlerë 48 milionë dollarësh

08 maj 2020 | 17:28

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhje korresponduese (mbledhje elektronike), në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar nismën për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, dhe Bankës Botërore, e përfaqësuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për financimin e “Projekti emergjent COVID-19 për Kosovën”.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni pajtohet që t’i japë Republikës së Kosovës një kredi, e cila konsiderohet si financim koncesionar në vlerë prej 48 milionë dollarë.

Mjetet nga kjo kredi do të përdoren për parandalimin, detektimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve të pandemisë Covid-19 në Kosovë dhe për forcimin e sistemit të shëndetit publik në Kosovë.

“Kjo do të realizohet përmes realizimit të objektivave:
– fuqizimin e kapaciteteve për detektim të hershëm, konfirmim dhe raportim të hershëm të rasteve, gjurmim të kontakteve si dhe raportim e monitorim të tyre;
– intervenimi në forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë;
– zhvillimi dhe shpërndarja e informatave, udhëzuesve, trajnimeve dhe prezantimeve të profesionistëve të kujdesit shëndetësor”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas këtij njoftimi, marrëveshja e kredisë parasheh edhe përkrahjen sociale në familje për respektimin e masave të kontrollit të shëndetit publik, mirëmbajtjen e shpërndarjes së pagesave sociale, rritjen dhe zgjerimin e tyre.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), deputeti Behgjet Pacolli…