Merren masa disiplinore për 200 mjekë, infermierë dhe staf të administratës në QKUK

09 gusht 2018 | 13:34

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë me dije se janë ndërmarr masa disiplinore për rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf të administratës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se një nga prioritetet e tija kur ka marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë, përveç blerjes së pajisjeve të reja mjekësore dhe rinovimit të spitaleve e klinikave, ka qenë kthimi i dinjitetit të personelit mjekësor.

“Rritjen e pagave për kujdestari tashmë e kemi realizuar, ndërsa po punojmë intensivisht që t’i arrijmë rezultatet më të mira të mundshme që në Ligjin për Paga – profesionistëve tanë shëndetësorë t’u sigurojmë paga meritore. Ky mision që kemi nisur është për të gjithë, për qytetarët dhe stafin mjekësor. Prandaj, kemi nevojë edhe për bashkëpunimin e tyre”, ka thënë Ismaili.

Ai ka shtuar se janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.

“Së fundi, në QKUK, kanë ndodhur keqpërdorime të tjera të kartelave personale për verifikimin në punë. Rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf i administratës, i kanë keqpërdorur ato. Të gjithë do të sanksionohen sipas procedurave ligjore në fuqi. Kemi nisur me QKUK-në dhe do të vazhdojmë me të gjitha institucionet tjera publike shëndetësore për rritjen e disiplinës në punë. Nuk do të ndalemi në misionin për përmirësimin e sektorit shëndetësor. Bashkë mund ta bëjmë këtë”, ka thënë ministri Ismaili.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore…