Merret vendimi për ndarjen e pasurisë, Kim apo Kanye do mbajë vilën 60 mln USD?
Pas afro shtatë viteve martesë, Kim Kardashian dhe Kanye West i dhanë fund marrëdhënies së tyre të shumëpërfolur. Mediat e huaja raportuan se më 19 shkurt, Kim firmosi letrat e divorcit dhe ndarja e tyre ishte tepër paqësore.
“Nuk pati drama”, tha një burim për “The Sun”, teksa ajo që tanimë ka rrëmbyer interesin e të gjithëve është ndarja e pasurisë prej 2 miliardë dollarëve.
Thuhet se po realizohet një parapërgatitje sa i takon ndarjes së parave, pronave apo sendeve me vlerë dhe se të dyja palët kanë rënë dakord të ndodhë diçka e tillë dhe madje asnjëri prej tyre nuk po e konteston marrëveshjen. Jo vetëm kaq, por disa burime shprehen se ish-çifti ndodhet në fazat e arritjes së një dakordësie për zgjidhjen e çështjes në fjalë.
Sipas Forbes, Kim vlerësohet të ketë 900 milionë dollarë pasuri, prej bizneseve të saj. Nga ana tjetër, reperi i gëzohet një vlere neto që kap shofrën 1.2 miliardë dollarë.
Pak para dasmës së tyre në vitin 2014, dyshja punësoi avokatë për të përgatitur një dokument paraprak në rast divorci. Sipas burimeve që folën asokohe me RadarOnline themeluesja e Skims do të merrte 1 milion dollarë për çdo vit që kishte qëndruar e martuar, në rast ndarjeje.
Mediat e huaja raportojnë se me dakordësinë e Kanye-s, Kim do të mbajë rezidencën 60 milion dollarëshe në “Hidden Hills”. Kjo pasi katër fëmijët janë mësuar të jetojnë aty dhe do ta kenë të vështirë të lëvizin diku tjetër.
Po ashtu, Kim ka pranë të gjithë të afërmit e saj, ndaj është parë e arsyeshme që rezidenca t’i ngelë asaj.
Kim gjithashtu do të përfitonte të gjitha dhuratat e kushtueshme dhe bizhuteritë që iu dhanë nga Kanye, duke përfshirë një çantë Hermes të pikturuar me dorë $ 40,000, disa rrathë Cartier me vlerë të paktën 35,000 $ secili dhe një Mercedes-Benz G550 SUV me vlerë së paku 227,000 dollarë.
Kim do të përvetësojë edhe paratë që fitoi nga linja e veshjeve Kardashian, SKIMS, KKW, pasi ato konsiderohen të ardhurat e saj personale dhe të ndara nga ish-bashkëshorti.
Kim dhe Kanye u martuan në 24 maj të vitit 2014, pas një romance që nisi në prill të vitit 2012.