Merret vendimi për themelimin e Departamentit të turizmit në MTI
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ka bërë me dije se me propozimin e tij në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është marrë vendimi për themelimin e Departamentit të turizmit në këtë ministri.
“Zhvillimi i turizmit ka qenë i kufizuar për shkak të faktit se deri tani nuk ka pasur qasje gjithëpërfshirëse dhe nuk ka qenë sektor me prioritet për zhvillim ekonomik, derisa në 5-7 vitet e fundit turizmi në vendet fqinje është zhvilluar me mbështetje të madhe nga shteti dhe politikat e tij”, ka shkruar Hasani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas tij, Kosova për nga resurset turistike ofron mundësi më të mëdha për zhvillimin e turizmit se sa disa nga vendet fqinje. “Qeveritë e kaluara nuk kanë ndërmarrë masa për ta ngritur Kosovën si destinacion turistik. Tani e tutje turizmin do ta konsiderojmë si sektor prioritar”, ka shkruar Hasani.
/Epoka e re/