Merson: Shaqiri, transferi i vitit në Premier Ligë
Ish-mesfushori i Arsenalit, Paul Merson, e ka zgjedhur shqiptarin me nënshtetësi zvicerane të Liverpoolit, Xherdan Shaqirin, si transferimin më të mirë të sezonit, për shkak të çmimit të ulët të tij.
Shaqiri u transferua në Liverpool gjatë afatit kalimtar të verës për 13.5 milionë euro. Ai u largua nga Stoke City, ku kishte qëndruar për tri sezone, para se ata të binin nga Premierliga në Championship.
Që nga ky transferim, ai ka luajtur në dy nga tri ndeshjet e Ligës së Kampionëve të këtij sezoni, përfshirë edhe fitoren kundër Crvena Zvezdas me rezultat 4-0. Paraqitjet e Shaqirit në ndeshjet e këtij sezoni me Liverpoolin kanë bërë që Merson ta zgjedhë atë si transferimin më të mirë të sezonit. “Shaqiri është i pari që më erdhi në mendje, dhe ndoshta dikush do të më vrasë sepse do të ketë ndonjë lojtar tjetër që ka bërë më shumë. Por, për çmimin që pagoi Liverpooli për të dhe për mënyrën se si ai ka arritur të përshtatet, mendoj se ka bërë punë shumë të mirë”, ka thënë Merson.
“Unë nuk mendova se ai do të përshtatej menjëherë me sistemin e tyre sepse përkushtimi i tij nga punës është vënë në dyshim në të kaluarën, por tani ai e ka ngritur nivelin e tij. Ai më ka bërë më shumë përshtypje sesa që mendoja”.
“Mendoj se ka qenë një gjë shumë e mirë për të punojë me Jurgen Kloppin. E kemi parë Kloppin duke i bërtitur kur nuk luante aq mirë dhe ai i është përgjigjur menjëherë me gola”.