![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/12/3EFD78C1-19C0-46FE-9D65-76D85741D2F5.png)
Mes dy barrikadave në veri, katër policë mbesin të bllokuar
Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Bandat kriminale serbe kanë barrikaduar shumë rrugë në këtë pjesë të Kosovës.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë atje në kushte të vështira, duke qenë shpesh edhe cak i sulmeve me armë e molotov.
Por, në gjendje më të vështirë kanë mbetur katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët janë bllokuar në një automjet të blinduar mes dy barrikadave.
Siç bëjnë të ditur burime të Demokracia.com, katër policët kosovarë kanë mbetur të bllokuar në një fshat verior (Komuna dhe fshati janë të njohur për redaksinë, por që nuk po bëhen publike për të mos e zbuluar vendndodhjen e tyre).
Demokracia.com ka mësuar se ata kishin mbetur edhe pa derivate, por ishin ndihmuar më pas nga disa banorë të zonës.
Demokracia.com ka provuar të kontaktojë edhe me Policinë e Kosovës lidhur me këtë rast, por zëdhënësi Baki Kelani nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike dhe as mesazhit që i është dërguar. Po ashtu, as zëdhënësi Daut Hoxha nuk është përgjigjur deri më tash.