Mes emocioneve dhe krenarisë për epokën e tij të lavdishme te FC Prishtina, Remzi Ejupi i falënderon krejt bashkëpunëtorët

22 shtator 2023 | 15:46

Futbolli kosovar mbeti i mangët dje.

Remzi Ejupi vendosi të largohet përfundimisht nga FC Prishtina duke i shitur krejt aksionet e tij.

Biznesmeni i suksesshëm kosovar i dha fund epokës së tij të lavdishme 20 vjeçare tek klubi më i madh në vend.

Mes emocioneve dhe krenarisë për periudhën e suksesshme që e pati tek FC Prishtina, Ejupi u ndie mjaft mirë me reagimet e njerëzve, të cilët e vlerësuan lartë kontributin e tij, jo vetëm për klubin kryeqytetas, por edhe në përgjithësi për futbollin dhe për sportin kosovar.

FC Prishtina e nderoi atë duke e shpallur President Nderi të klubit, kurse dashamirët e futbollit e vlerësuan lartë punën dhe menaxhimin e tij të suksesshëm prej dy dekadash.

“Ishte emocionuese të lexoja dhe dëgjoja fjalë të mira të opinionit. Është e rëndësishme të lësh përshtypje të mira dhe të dalësh me kokën lartë pas çdo pune që e bën. I falënderoj të gjithë për vlerësimin që ma kanë bërë. I falënderoj bashkëpunëtorët dhe bashkudhëtarët e mi që i pata në krahë për këto dy dekada. Bashkërisht jemi munduar të bëjmë punë të mirë për klubin, për futbollin dhe për sportin kosovar në përgjithësi”, u shpreh Ejupi.

Kreu i deridjeshëm i klubit prishtinas ka punuar fort që nga viti 2004, kur e kishte marrë në dorë FC Prishtinën, që futbolli kosovar të ecte përpara dhe të pranohej ndërkombëtarisht.

Takimet me personalitete të ndryshme, përfshirë këtu edhe me presidentë të FIFA-s dhe me drejtues Federatash, sjellja e klubeve të njohura evropiane dhe e ish-futbollistëve të njohur, por edhe e yjeve shqiptare, e kanë shquar rrugëtimin e Ejupit në futbollin e këtushëm.

Ndër të tjera, ishte i pari që punoi dhe e jetësoi mbrojtjen e kartonëve të futbollistëve, të cilët më herët iknin drejt Evropës si “klandestinë”.

Përpos futbollit, dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për sportin në përgjithësi, duke e sjellë modelin gjerman të Ligjit për Sponsorizim, i cili u konsiderua dhe konsiderohet si shpëtim për sportin.

Madje, falë Ejupit, Ligji i Sponsorizimit ua jep mundësinë bizneseve që të lirohen deri në masën 30 për qind të tatimit në fitim me kusht që këtë vlerë ta investojnë në sport.

Ndër të tjera, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e kishte dekoruar Remzi Ejupin me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”, ndërsa biznesmeni kosovar ka afërsi dhe shoqëri edhe me personalitete shqiptare nga sfera të ndryshme të jetës.

Me mbi 15 trofe të fituar me FC Prishtinën, që ndërkohë e dërgoi edhe në garat evropiane, Remzi Ejupi konsiderohet si presidenti më i suksesshëm dhe më jetëgjatë në futbollin kosovar.

Ai la gjurmë të pashlyeshme tek FC Prishtina! Gazeta Express.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Automjeti me të cilin po udhëtonin futbollistet dhe stafi i…