Mes kritikave, Zvicra merr presidencën e Këshillit të Sigurimit
Zvicra mori për herë të parë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të hënën, më 1 maj.
Në këtë rol, Zvicra dëshiron ta realizojë reputacionin e saj si ndërmjetëse dhe ndërtuese urash, tha ambasadori i OKB-së, Pascale Baeriswyl.
Megjithatë, reputacioni i Zvicrës tradicionalisht neutrale është dëmtuar që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
“Në qarqet politiko-diplomatike, politika e jashtme zvicerane e 18 muajve të fundit të jep arsye për ta tundur kokën”, tha eksperti politik, Christoph Frei, nga Universiteti zviceran i St Gallen, për agjencinë e lajmeve, “DPA”.
Sipas tij, arsyet përfshijnë hezitimin në fillim për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe refuzimin e vazhdueshëm për t’i ndaluar aleatët të transportojnë municione zvicerane në Ukrainë, pavarësisht politikave neutrale të Zvicrës.
Zvicra ndan 2 miliardë dollarë për Ukrainën, pas kritikave për përgjigjje ndaj luftës
Vendi ka refuzuar gjithashtu një ftesë nga shtetet më të industrializuara (G7) për t’u bashkuar në një grup pune për t’i gjurmuar fondet e mbështetësve të presidentit rus, Vladimir Putin .
“Ne jemi në rrugën drejt humbjes së miqve” tha Frei.
Raportimet kritike ndaj Zvicrës janë shtuar, sipas Ministrisë së Jashtme të Zvicrës. Por, sipas ministrisë, nuk ka asnjë indikacion deri më tani “për një përkeqësim të konsiderueshëm në perceptimin e përgjithshëm për neve që do të kishte pasoja negative të qëndrueshme”.
Për shkak të kritikave ndaj vendit të tij, Frei thotë se ai ka marrë mesazhe armiqësore. Ai thotë se gjatë javëve të fundit ka marrë letra me përmbajtje si “Ti je tradhtar i vendit, luftënxitës, gomar”.
Presidenca e Këshillit të Sigurimit ndërron sipas një radhe të paracaktuar çdo muaj. Para Zvicrës, presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte Rusia, gjë që gjithashtu kishte nxitur kritika të shumta.