Mes shkatërrimit në Gaza, Izraeli: Ja provat që lidhin spitalet me Hamasin (Video)
Nic Robertson i CNN dhe ekipi i tij sjellin një pamje nga afër të pluhurit dhe plumbave dhe shkatërrimit brenda Gazës.
Pamjet e rralla, që tregojnë aksionin e Forcave izraelite të Mbrojtjes në terren, vijnë në një moment kyç të luftës, teksa presidenti amerikan Joe Biden bën thirrje që spitali kryesor i Rripit të mbrohet.
Shkatërrimi duket në çdo kilometër që kalojmë. Godina të hedhura në erë, të shkatërruara… asgjë e paprekur nga furia e gjuetisë së Izraelit për Hamasin. Rrugët janë shkrumbuar.
“Dyqanet, gjithçka që shohim… nuk ka këmbë njerëzisht këtu dhe ushtarët na tregojnë që edhe brenda dyqaneve kanë gjetur granata për t’u përdorur kundër tyre teksa avanconin në këtë zonë,” tregon Nic Robertson, CNN.
Pak kilometra më tej një postacion. Ushtarët jetojnë në apartamente të hedhur në erë.
“Çdo godinë që shoh këtu, kudo nga kthen kokën, është e shkatërruar. Vështirë të imagjinosh sesi i kanë duruar civilët bombardimet këtu,” shton Robertson.
Udhëtimi vijon, më në thellësi të Gazës. Jemi vetëm 100 metra larg një beteje me Hamasin. Tanket godasin godinat aty pranë. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite na pret.
“Tani po kryejmë një operacion brenda Gazës, ngjitur me spitalin Rentisi,” tregon Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF.
Mbi Izraelin po ushtrohet një presion i madh ndërkombëtar lidhur me shkatërrimin e shtëpive. Numrin shokues të viktimave dhe të paktën në ditët e fundit, për taktikat e ashpra që ka përdorur ndaj spitaleve.
“Po kërkojmë në tunel. Buldozierët zbuluan tunelet që dyshojmë se janë nën spital,” shton Hagari.
Hagari na solli këtu për të na treguar lidhjen, që sipas tij, ekziston mes Hamasit dhe spitalit të fëmijëve Rentisi.
“Ndodhemi në një zonë mes një spitali, një shkolle dhe një shtëpie terroriste.”
Thuhet se atje jetonte një komandant i Hamsit…dhe na tregon panelet diellore mbi çati.
“Ky është një tunel që të çon në dysheme, mund ta shihni këtu,” sqaron Hagari.
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Kjo është shkalla që të çon poshtë.
Nic Robertson, CNN: Po, e shoh shkallën.
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Ky është një tunel 20 metra i gjatë, dhe shiko këtu, shiko këtë panel. Kujdes, por shiko poshtë, i sheh kabujt që zbresin poshtë?
Nic Robertson, CNN: Pra janë të lidhur me tunelin?
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Panelet diellore në tarracë prodhojnë energji drejtpërdrejt në tunel… Kemi futur një robot brenda tunelit dhe roboti pa një derë të madhe, një derë në drejtim të spitalit.
Nic Robertson, CNN: Jemi në një zonë zjarri, sipas IDF-së. Të shtënat mund të dëgjohen ende. Zbresim poshtë, duke u ruajtur, sepse të shtënat vazhdojnë. Por mund të ndiejmë erën e mishit të njeriut, ndoshta ka trupa nën rrënoja.
Nic Robertson, CNN (duke i folur kameramanit):Mos u ngri. Mos u ekspozo.
Jemi vetëm 100 metra nga spitali, por sërish dëgjojmë të shtënat.
“Po kryejmë ende një operacion… një operacion i njësisë speciale, forcave Navy Seals, drejt spitalit. Të zbresim poshtë,” shprehet Gjenerali Hagari.
Hagari na thotë më vonë se rrezikuam shumë duke zbritur në zonë lufte, është e qartë që ai dëshiron që ne ta themi këtë.
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Po kërkojmë këtu për të gjetur lidhjen mes tunelit dhe spitalit, kujdes mos biesh.
Nic Robertson, CNN: Pra këtu është lidhja…
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Po kërkojmë lidhjen.
Teksa arrijmë më në fund te spitali, ka rënë nata. Në muret e bodrumit shihet një vrimë e madhe.
Nic Robertson, CNN: Pse është kaq i dëmtuar spitali?
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Do të flasim… Pse është kaq i dëmtuar spitali? Ta shpjegoj unë. Është pyetje e rëndësishme.
Nic Robertson, CNN: Po, ashtu është.
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Erdhëm para 5 ditësh në spital. Kishte ende pacientë aty dhe ne nuk u futëm brenda.
Sipas tij, që prej asaj dite të gjithë janë evakuar nga stafi i spitalit.
“Ne ndihmuam me evakuimin, për të krijuar një rrugëkalim të sigurt për të gjithë pacientët. Nuk e dimë nëse spitali është plotësisht i pastër. Nuk e dimë. Ne u futëm vetëm te kjo zonë ku dyshojmë, sepse nga këtu na qëlluan.”
Hagari na orienton mes një labirint korridoresh, deri te kjo dhomë.
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Këto janë armatime, dakord?
Nic Robertson, CNN: Armatime të Hamasit?
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Po.
Na tregon ca armë të ndryshkura dhe disa eksplozivë. Vetëm këto armë mjaftojnë për të ndryshuar fatin e spitaleve të Gazës dhe synimit të Izraelit për të marrë kontrollin e tyre.
Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se spitalet gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjit humanitar ndërkombëtar. Por nëse militantët kanë fshehur armë apo i përdorin ato si baza, atëherë mbrojtja bie. Në dhoma të tjera ai na tregon një motor me një vrimë plumbi që dyshohet se është përdorur nga militantët e Hamasit në 7 tetor.
Aty pranë ka edhe dëshmi të mundshme se aty mund të jenë mbajtur pengje.
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Tani jemi në bodrum, në të njëjtën zonë, pak metra nga motori. Shohim një karrige dhe një litar. Shohim veshje grash ose diçka që është përdorur për të mbuluar një grua.
Nic Robertson, CNN: Mendon se një grua është mbajtur e lidhur në karrige?
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Ky është një supozim që do të verifikohet nga ADN-ja.
Ka edhe prova të tjera, thotë Hagari, që lidhen me Hamasin dhe ndoshta edhe me praninë e pengjeve nën spital.
Nic Robertson, CNN:Na sollët këtu për të na treguar lidhjen që ju besoni se ekziston mes terroristëve dhe ndoshta pengjeve. Por çfarë tregon kjo për të gjithë spitalet e tjerë në Gaza?
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Spitali Shifa njihet me fakte, nga shërbimet inteligjente, që është një vatër terroristësh. Dhe gjithashtu dyshohet se aty janë mbajtur pengjet. Është streha më e mirë për makinën terroriste të Hamasit.
Nic Robertson, CNN: Por autoritetet e spitaleve thanë se nuk kanë dijeni për praninë e Hamasit apo grupeve të tjera në spitalet e tyre. A është e mundur kjo?
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Mendoj se nuk është e mundur që një spital të ketë këtë lloj infrastrukture… E dinim që terroristët ishin këtu. E dinim.
Nic Robertson, CNN:Nga e dinit?
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: E dinim nga shërbimet inteligjente. Gjithashtu nga kjo zonë u sulmuam.
Nic Robertson, CNN:Nga kjo zonë apo kjo ndërtesë?
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Nga kjo zonë… dhe kishim të drejtë të qëllonim. Sepse shiko çfarë gjetëm. Armatime.
Nic Robertson, CNN: Por këtu rrotull ka kaq shumë shkatërrim.
Gjeneral Brigade Daniel Hagari, zëdhënës i IDF: Kudo përreth ka shkatërrim. Sepse Hamasi na e ka bërë të pamundur të luftojmë me ta. Kanë ndërtuar infrastrukturë në tunele në spitale dhe rreth zonave të populluara.
Teksa dalim nga spitali tashmë është bërë natë.
Po bëhemi gati të largohemi. Luftimet vijojnë. Ende të ashpra. Kjo luftë dhe debatet rreth saj, janë ende larg zgjidhjes.
*CNN raportoi nga Gaza, shoqëruar gjatë gjithë kohës nga Forcat Izraelite të Mbrojtjes. CNN nuk ia ka dorëzuar paraprakisht tekstin apo pamjet e kronikës IDF-së dhe ka pasur kontroll editorial mbi materialin.A2Cnn