Mesazhet e Macronit në Serbi, Kastrati: Kurti e ka izoluar Kosovën, vendi ka nevojë për një qeveri pa të
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për izolim të Kosovës.
Duke komentuar mesazhet e presidentin francez nga vizita në Beograd, ai ka thënë se kryeministri Kurti po rrezikon një rekalibrim të forcave në rajon.
Kastrati ka shkruar në “Facebook” për demet që i ka sjell Kosovën qeveria Kurti.
“Duke e ndjekur vetëm agjendën e brendshme populiste Albin Kurti ka izoluar thellë Kosovën dhe ky skenar po rrezikon një rekalibrim të forcave në rajon. Kurti ka prodhuar një polarizim të paparë shoqëror i cili po i pamundëson qytetarëve për të parë rrugën e re që Kurti i ka hapur ekuilibrit të ri gjeopolitik rajonal . Në këtë skenar të ri, Kosova tanimë është një aktor periferik dhe jo partnere e denjë për ShBA-në dhe BE-në. Nëse vazhdon kjo qasje, shume shpejt do të jetë e paaftë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, ka shkruar Kastrati.
Më tutje, Kastrati ka thënë se Kosova ka nevojë për një qeveri pa Albin Kurtin.
“Është e qartë se masat ndëshkimore nga SHBA-ja e BE-ja nuk janë thjesht manifestime të mosmarrëveshjeve taktike me Kosovën, por sinjale të një zhgënjimi të thellë të partnerëve perëndimorë me Albin Kurtin! Opinioni duhet ta kuptoj sa të rëndësishme janë marrëveshjet miliardëshe të BE-së e Gjermanisë për litiumin, ushtrimet e përbashkëta ushtarake ShBA-Serbi dhe blerja e 12 aeroplanëve ushtarak nga Franca. Prandaj, Kosova nuk mund ta bëj lojtarin përball këtyre zhvillimeve e izoluar dhe me masa ndëshkimore. Prandaj, Kosova ka nevojë për qeveri pa Albin Kurtin!”, ka shkruar Kastrati.