Mesazhet që dha sekretari i NATO-s gjatë vizitës së djeshme në Kosovë

12 mars 2025 | 07:45

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi dje Kosovën, për herë të parë pasi mori këtë detyrë. Ai takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe trupat paqeruajtëse të NATO’s, KFOR. Gjatë kësaj vizite Rutte dha shumë mesazhe të rëndësishme.

Mesazhet kryesore të tij ishin se KFOR mbetet faktor stabiliteti në Kosovë bashkë me ShBA-në dhe që NATO do të vazhdoj të kontribuojë për sigurinë në vend dhe rajon.

Rutte tha se aleanca është e gatshme t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë. Por, shefi i NATO-s u kërkoi udhëheqësve që të veprimet që ndërmarrin të mos jenë në kundërshtim të angazhimeve paraprake, teksa kërkoi nga Kosova dhe Serbia fleksibilitet dhe kompromise në dialog.

“KFOR është plotësisht i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo zhvillimit të sigurisë. Në këtë kuptim, presim të vazhdojmë bashkëpunimin mes Prishtinës dhe KFOR-it, në përputhje me angazhimet e dekadave të fundit.”, u shpreh ai gjatë një konference me presidenten Osmani.

Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.

“ShBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që ShBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Washingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Rutte tha se administrata Trump ka tejkaluar ngërçin sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke mbajtur bisedime për përfundimin e luftës me Rusinë dhe Ukrainën. Ai tha se ka mundësi që administrata amerikane të tentojë të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Le të shohim se çfarë roli mund të luajë ShBA-ja në këtë rajon, që të kemi një zgjidhje afatgjatë në rajon ku do të kishte raporte të mira fqinjësore dhe normalizim të situatës”, tha Rutte.

Para se të takohej me krerët shtetërorë të Kosovës, shefi i NATO-s qëndroi një ditë më parë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rutte tha se kërkesa e tij për të gjithë politikanët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është që të veprojnë në mënyrë të parashikueshme.

“E dimë që për momentin në Bosnje e Hercegovinë ka tensione për shkak të rastit gjyqësor ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Dhe duke pasur parasysh faktin e tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se është në interesin e të gjithëve që të ulen tensionet. Mënyra më e mirë për të bërë këtë është që të jeni të parashikueshëm dhe të përmbaheni nga veprimet e njëanshme”, tha shefi i NATO-s.

Rutte foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – pa miratimin e aleancës.

“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.

“Sigurisht, nuk mund të parashikoni nëse gjërat do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, nuk ka asgjë të re për të cilën mund t’iu njoftoj tani në këtë drejtim”, shtoi ai.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, i pyetur nëse forcat e mundshme paqeruajtëse të udhëhequra nga Evropa në Ukrainë mund të çojnë në ndryshimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë ose në garancitë e sigurisë që NATO ofron në Kosovë, Rutte tha se ajo që nevojitet fillimisht në Ukrainë është një marrëveshje paqeje.

“Pastaj duhet të hartohet një mision për garancitë e sigurisë. Aktualisht, francezët dhe britanikët po marrin drejtimin e këtij debati. Më pas, duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për praninë e trupave në krahun lindor, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Por, deri atëherë do të kemi kaluar tri hapa përpara dhe nuk dua të flas për ‘çka nëse’”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zyrtar ukrainas e konfirmoi se Shtetet e Bashkuara të…