Mesazhi i IKShPK-së: Respektoni masat që mos të ketë mbyllje totale
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publiketë Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për respektim të masave kundër Covid-19.
IKShPK-ja ka theksuar se pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale, raporton “Epoka e re”.
“Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të papërgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: MASKA, DISTANCA, HIGJIENA”, ka vlerësuar ky Institut.
IKShPK-ja ka theksuar se numri i rasteve javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.
“Ju lutemi të keni kujdes në mbajtjen e maskave, mbani distancë dhe higjienën personale. Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”.
“Apelojmë te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, ka njoftuar IKShPK-ja.
Sipas këtij Instituti, burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjensi, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës.
“Si pasojë e mosbartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar.
Pakujdesia e juaj shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, ka theksuar IKShPK-ja.