Mesazhi i Mustafës para votimit të mocionit
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se bashkëpunimi me Gjermaninë dhe Francën sikurse edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian është me rëndësi themelore për LDK-në dhe për Kosovën.
“Kosova ka gëzuar përherë përkrahje të fuqishme të këtyre vendeve. Prandaj edhe e mirëkuptojmë brengën e tyre për situatën aktuale në Kosovë. LDK ka bërë të gjitha përpjekjet ta bindim partnerin tonë të koalicionit për bashkëpunim me mirëkuptim por nuk kemi arritur. Në vend të kësaj ka bërë vazhdimisht veprime të njëanshme dhe për LDK-në të dëmshme”.
“Jemi të vetëdijshëm edhe për këtë situatë të Coronavirusit, por këtë e ka zgjedhur dhe e ka shkaktuar z. Kurti dhe jo LDK-ja në asnjë rast dhe me asnjë veprim.
Ministrat tanë do të bëjnë punën për aq sa u krijon hapësirë z.Kurti që ta përballojmë luftën me këtë virus”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka pohuar se mocioni është një instrument demokratik.
“Ai tani, sipas Kushtetutës është në të drejtën e deputetëve që e kanë nënshkruar jo vetëm e atyre të LDK-së.
LDK siguron se mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me vendet e BE-së, si anëtare e familjes së PPE, për proceset e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, dialogut si dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor”, ka deklaruar Mustafa.