Mesazhi i Palmerit: Qeveria e re duhet t’i gjallërojë negociatat me Serbinë
I ngarkuari i posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit kanë votuar për ndryshim.
Palmeri gjatë një ligjërate para studentëve dhe shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ka thënë se sytë e botës janë kah Qeveria e re e Kosovës, duke pritur se çfarë do të bëjë me reformat e brendshme dhe dialogun me Serbinë.
“Sytë e botës do të shikojnë se çfarë do të bëjë Qeveria e re Kosovës. A mund të merret me prioritet e brendshme të kërkuara nga populli derisa merret me sfidat ndërkombëtare të cilat Kosova duhet t’i zgjidh për të përparuar. Asaj (Qeverisë) i duhet një koalicion qeverisës që përfaqëson popullin me një zë koherent dhe objektiva reale dhe me plan se si ta arrijë atë cakë”, ka thënë Palmeri, raporton “Epoka e re”.
Ai ka deklaruar se Amerika dëshiron që Kosova ta ketë një qeveri e cila do t’i adresojë sfidat e brendshme dhe të jashtme.
“ShBA-ja kanë qëndrime shumë të qarta. Shpresojmë të shohim ta kemi një qeveri e cila do t’i adresojë sfidat e jashtme ashtu edhe ato të brendshme. Në vend që ta shohim dialogun si shpërqendrim në këto çështje, konsideroni normalizimin si trasim i rrugës për prosperitet dhe drejtësi. Çdo hap i kaluar pas normalizimit do të jetë shumë më i lehtë në rrugë të trasuar me paqe”, është shprehur Palmeri.
Më tutje, Palmeri ka thënë se përmirësimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë do t’i hap rrugë investimeve dhe vendeve të reja të punës.
Në këtë kontekst, Palmeri ka thënë se Qeveria e re duhet t’i gjallërojë negociatat me Serbinë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
“Marrëdhëniet e përparuara dhe përmirësimi i tyre me Serbinë hapin rrugën për investime fitimprurëse që krijojnë vende të reja të punës prej të cilave mund të përfitojë populli i Kosovës. Kur të formohet Qeveria me mandat të ri nga votuesit mundet dhe duhet t’i gjallërojë negociatat. ShBA-ja do ta përkrah gjithmonë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, por ne nuk shohim kurrfarë mundësie për integrimin e plotë të vendit tuaj në sistemin ndërkombëtar nëse nuk përfshin pajtimin me Serbinë”, ka theksuar Palmeri.
Zyrtari i lartë amerikan ka thënë se negociatat me Serbinë ndonjëherë kanë qenë të komplikuara dhe se marrëveshja finale me këtë shtet kërkon konsensus të gjerë.
Ai ka thënë se Kosova ka ditur që të marrë vendime të duhura në kohë të caktuara, duke përmendur Rambujen dhe Vjenën.
“Shtetësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe tani ju duhet normalizimi për ta çliruar potencialin e madh të këtij vendi”, është shprehur Palmeri.
I ngarkuari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, të premten në Prishtinë është takuar me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa.
/Epoka e re/