Mesazhi i presidentit FFK-së për 7-vjetorin e anëtarësimit në UEFA
Sot bëhen 7 vjet që kur Federata e Futbollit e Kosovës u anëtarësua me të drejta të plota në UEFA.
“Çdo 3 maj është një ditë e veçantë për futbollin e Kosovës dhe për të gjithë ne që e ndjejmë shpirtin e kësaj loje. Kjo ditë na kujton se nëse ëndërroni dhe punoni fort për ta arritur diçka, atëherë asgjë nuk është e pamundur”, ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi në “Facebook”.
Sipas tij, dita e sotme na rikujton emocionet e forta nëpër të cilat kaluam. “Këtu e shtatë vjet më parë. Kongresi i mbajtur në Budapest, më 3 maj të vitit 2016 ishte sikurse një lojë e tensionuar në fushën e futbollit, por që në fund gjithçka shndërrohet në gëzim dhe festë”, ka shkruar Ademi.
Deklarata e plotë e Ademit:
Çdo 3 maj është një ditë e veçantë për futbollin e Kosovës dhe për të gjithë ne që e ndjejmë shpirtin e kësaj loje. Kjo ditë na kujton se nëse ëndërroni dhe punoni fort për ta arritur diçka, atëherë asgjë nuk është e pamundur.
Dita e sotme na rikujton emocionet e forta nëpër të cilat kaluam, këtu e shtatë vjet më parë. Kongresi i mbajtur në Budapest, më 3 maj të vitit 2016 ishte sikurse një lojë e tensionuar në fushën e futbollit, por që në fund gjithçka shndërrohet në gëzim dhe festë.
Kryeqyteti hungarez shënoi historinë e re të futbollit të Kosovës, ku përfundimisht iu dha fund izolimit të padrejtë prej 25 vjetësh dhe shteti ynë u bë anëtar i barabartë me shtetet tjera në familjen e madhe evropiane të futbollit, UEFA.
Tani, futbolli nuk është vetëm një lojë, por një mënyrë e jetesës dhe një burim frymëzimi për shumë të rinj e të reja në Kosovë.
Në këtë ditë ndjehemi krenarë për përparimet që kemi bërë dhe për futbollistët tanë që kanë bërë histori në skenën ndërkombëtare.
Kjo ditë duhet të na shërbejë si një moment për të festuar të arriturat, por gjithashtu edhe si një mundësi për të reflektuar mbi sfidat që na presin në të ardhmen, për të gjetur mënyra për të rritjen e mëtejshme të futbollit dhe sportit të Kosovës në përgjithësi.
Në këtë ditë kujtojmë me krenari të gjithë ata që kanë punuar e kanë sakrifikuar edhe pasurinë e familjeve të tyre për ta mbajtur gjallë futbollin dhe për të arritur këtu ku jemi sot. Ata që kontribuuan në pavarësimin dhe zhvillimin e futbollit kosovar kanë treguar fuqinë e ndryshimit. Nuk u dorëzuan dhe nuk u ndalën para sfidave, sado të vështira ishin ato. Punuan fuqishëm dhe me përkushtim të vërtetë për të arritur qëllimin që ia kishin vendosur vetes.
Ky padyshim është një mësim për të gjithë ne – që të mos dorëzohemi dhe të jemi të përkushtuar për ta bërë më mirën për vendin tonë përkundër barrierave që na shfaqen rrugës.
Duke shënuar 7-vjetorin e anëtarësimit në UEFA dhe përmbushjen e ëndrrës së shumë gjeneratave të futbollit kosovar, është e rëndësishme të reflektojmë edhe mbi mesazhin që ky moment na jep si shoqëri.
Nëse punojmë së bashku dhe veprojmë për një qëllim, atëherë mund të arrijmë gjithçka që duam. Prandaj, është koha që t’i bashkojmë forcat dhe të punojmë me vendosmëri që në përvjetorin e shtatë të anëtarësimit në familjen e madhe të futbollit evropian e botëror të realizojmë objektivin për kualifikim në Euro 2024.
Entuziazmi, vullneti, pasioni, dëshira e kualiteti për ta arritur këtë ekziston. Të bashkuar mund të shkojmë shumë larg!
Në emër të FFK-së falënderoj të gjithë ata që kontribuuan për anëtarësim në UEFA dhe FIFA.
Urime 3 Maji – Dita e anëtarësimit në UEFA!