Mesazhi i Scholzit për BE-në: Liberalizimi duhet të shkojë përpara, bëjeni punën tuaj

10 qershor 2022 | 12:01

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka folur në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Scholz ka thënë se në takimin me Kurtin ka folur për heqjen e vizave, situatën në Ukrainë, dialogun e tema të tjera.

“Krahas marrëdhënieve tona, ne biseduam për liberalizimin e vizave që po mungon si dhe pozicionimin e Kosovës karshi agresionit rus në Ukrainë. Kosova si partnere e besueshme qëndron në anën e bashkësisë ndërkombëtare. Kemi biseduar për Procesin e Berlinit, dëshiroj që bashkë me partnerët tanë ta rijetësojmë atë këtë vit dhe këtë vjeshtë do të ftojë një konferencë në Berlin”, ka thënë kancelari gjerman.

Më tutje, ai ka thënë se është e rëndësishme që dialogu me Serbinë të shkojë përpara si parakusht për investime e anëtarësim në BE.

“Me rëndësi për Kosovën është që dialogu me Serbinë të çohet përpara, vlera e sigurisë dhe lirisë na bëhen edhe më të qarta. Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë një zgjidhje politike që kontribuon në stabilitetin rajonal.  Është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra tjetrën të bëhen pjesë e BE-së”, ka thënë Scholz.

Në këtë kontekst, ai  ka folur edhe për liberalizimin e vizave.

“Heqja e vizave duhet të shkojë përpara. BE-ja duhet të bëj punën e saj. Po angazhohem me këmbëngulje në këtë aspekt”, ka thënë Scholz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e ekspozitës vetjake të artistit-piktorit Driton Kastrati hapur…