Mesazhi nga takimi Thaçi-Putin: Mund të kemi një njohje të kushtëzuar nga Rusia, por nuk duhet të ekzaltohemi as ta kryqëzojmë Thaçin!?
Shkruan: Ramadan Baraliu
Takimi “bilateral” Thaçi-Putin në margjina të Forumit të Paqes në Paris, është lëvizje pozitive e Rusisë në raport me Kosovën. Edhe pse e drejta ndërkombëtare nuk e pranon nocionin e njohjes de facto të kushtëzuar, dhe kemi raste të rralle të njohjes de facto, por kemi disa raste në histori kur ka pas njohje të kushtëzuar. Siç ka qenë me disa shtete ballkanike dhe njohja e Bashkimit Sovjetik nga SHBA më 1933. Duke e luajtur rolin e optimistit më të madh për këtë situatë, pas Presidentit Thaçi dhe disa dostave të tij, nga ky takim mund të themi se kemi një njohje de facto të kushtëzuar nga Rusia e transmetuar nga presidenti Thaçi. Por, gjendja nuk mund t’i referohet krijimit të faktit se Rusia do ta pranojë Kosovën de facto apo de juro së shpejti. Kjo njohje kushtëzohet me atë që Serbia duhet ta pranojë Kosovën pas një marrëveshje me siguri tepër të dhimbshme për Kosovën dhe me proces me siguri me prapaskena mes Rusisë dhe Serbisë.
Proces me shumë të panjohura dhe shumë mosbesues edhe për optimistin më të madh.
Por, nuk ka nevojë për ekzaltime pasi që nuk dihet se si do të përkthehet ky takim, përderisa të shihen rezultatet në terren dhe cila do të jetë marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe a do të ketë një të tillë. Po ashtu nuk ka hapësirë për gozhdimin e Presidentit Thaçi, pasi nuk mund të lëvizim drejt OKB duke refuzuar takimet me shtet që e kanë të drejtën e vetos në KS të OKB. Por, as presidenti nuk duhet ekzaltohet dhe të lëshohet në aventura me Serbinë e Rusinë, duke e njohur historikisht qëndrimin e tyre kundër nesh.
Tani mbetet që të krijohet një platformë shtetërore për këtë proces të rëndësishëm që tashmë ka hy vendi përmes Presidentit Thaçi. Na duhet një platformë shtetërore për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë dhe përmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar!
E drejta ndërkombëtare njeh dy forma të njohjes: de facto dhe de jure.
Njohja de facto e shteteve, në vend të de jure, është e rrallë. Njohja de jure është më e fortë, ndërsa njohja de facto është më shumë tentative dhe njeh vetëm se një qeveri ushtron kontroll mbi një territor.
Pas takimit “bilateral” Thaçi-Putin në margjina të Forumit të Paqes në Paris, kemi një njohje ta quajmë kështu de facto të kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që mund të bëhet de juro. Pra nuk është as njohje de facto, pasi që Rusia vazhdon ta dënoj shpalljen e pavarësisë së Kosovës si akt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe precedent të rrezikshëm për sistemin ndërkombëtar dhe nuk kemi asnjë deklaratë zyrtare që ka lëvizje në këtë drejtim. Rusia mbështet Kushtetutën e Serbisë që e përfshinë Kosovën dhe Rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurimit. Kjo rezolutë e përcakton statusin politik të Kosovë si protektorat të OKB-së, Edhe pse rezoluta e bën Kosovën protektorat të OKB-së, në këtë rezolutë disa herë përmendet se Kosova është pjesë e Jugosllavisë.
Si do rrjedhin ngjarjet mbetet për t’u parë.