Mesfushori shqiptar vrapoi rreth 14 kilometra
24 nëntor 2019
| 13:13
Paderborni bëri një ndeshje heroike kundër Borussia Dortmundit, por për fat të keq nuk shkoi dot më shumë sesa barazimi 3-3.
Simboli i këtij barazimi epik ishte mesfushori i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula. “Gladiatori” vrapoi si një i çmendur në fushën e lojës dhe kapi shifra rekord: 13.66 kilometra. Askush nuk bëri më mirë sesa mesfushori kuqezi, i cili la pas shokun e tij të skuadrës, Mamba, i cili përshkoi 12.31 kilometra.
Në vendin e tretë renditej Marco Reus, me 12.12 kilometra në fushën e lojës. Gjasula mori vlerësime maksimale për këtë ndeshje dhe foton e tij e postoi faqja e njohur në rrjetet sociale 433. Megjithatë, Paderborni vazhdon të renditet në vendin e fundit të kampionatit gjerman.