Mësimdhënësit deklarohen për ose kundër grevave në arsim
Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka marrë vendim që të shpërndajë formularë nëpër të gjitha shkollat e vendit dhe institucionet e tjera arsimore, me kërkesë që mësimdhënësit të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me ngritjen e pagave prej vetëm 4 për qind.
Drejtues e kësaj sindikate kanë thënë se deri në fillim të gjysmëvjetorit të dytë presin përgjigjen e formularëve, për të vazhduar me veprimet sindikale.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë me dije për “Radio Kosovën”, se Këshilli Drejtues i kësaj sindikate ka marrë vendim që të shpërndahen formularët nëpër shkolla, me anë të të cilëve kërkohet nga mësimdhënësit të deklarohen lidhur me pakënaqësitë e tyre për pagat dhe çështje të tjera.
“Mësimdhënësit dhe anëtarët e SBASHK-ut, të deklarohen se cilin autorizim do t’ia japin kryesisë kur është fjala të pagat, që e kemi kundërshtuar rritjen prej 4 për qind dhe çështje të tjera. Do të na kthehen formularët dhe varësisht nga deklarimet e mësimdhënësve ashtu edhe do të veprojmë. Pra, ka mbetur i hapur çdo version”, ka thënë Jashari.
SBAShK-u është duke kërkuar që ngritja 4 për qind e pagave të jetë e bazuar në vlerën e pagës së kryeministrit. Jasharaj ka theksuar se nëse kërkesat e tyre nuk do të realizohen përmes dialogut që ka filluar, atëherë do të ndërmerren veprimet e tjera sindikale.
Këshilli Drejtues i SBAShK-ut, do të ndërmarrë veprimet sindikale në koordinim me BSPK-në, duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme.