Mësimdhënësit me koronavirus, shkolla “Arif Shala” në Korroticë të Poshtme të Drenasit kalon në sistem online

06 dhjetor 2020 | 20:14

Shkolla “Arif Shala” në Korroticë e Poshtme të Drenasit do të kalojë për dy javë në sistemin online të ndjekjes së procesit mësimor, për shkak se një pjesë e stafit mësimdhënës ka rezultuar me koronavirus.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i kësaj shkolle Murtez Shala, pas marrjes së informacionit nga IKSHPK mbi rezultatet e testit të kryer për 26 mësimdhënës, katër prej të cilëve sot kanë dalë pozitivë, ndërkohë që në pritje janë edhe tetë mostra.

“Në bazë të rekomandimit të IKSHPK-së dhe koordinimit me DKA në Drenas, vendosëm që për këto dy javë, procesi mësimor të zhvillohet sipas skenarit C të MASH – online. Për çdo informacion, apo ndryshim të situatës, do të njoftoheni me kohë. Të prekurve nga virusi, drejtoria e shkollës iu uron shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në procesin edukativo-arsimor”, ka thënë Shala.

Ndryshe, SHFMU “Arif Shala” ka 319 nxënës dhe 28 mësimdhënës. Procesi mësimor për gjysmëvjetorin e parë këtë vit shkollor në nivel vendi do të përfundojë më 18 dhjetor, më herët se sa ishte paraparë, për shkak të gjendjes me pandeminë koronavirus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarë të shumtë të Kosovës zgjodhën që këtë fundjavë ta…