
“Mësimet që i kemi marrë gjatë pandemisë COVID po harrohen”, paralajmërojnë shkencëtarët britanikë
Mësimet kryesore shkencore të nxjerra gjatë pandemisë COVID-19 po harrohen, kanë paralajmëruar shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar.
Studiuesit kanë ngritur alarmin ndërsa kombi shënon përvjetorin e pestë të bllokimit, i cili u njoftua nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson më 23 mars 2020.
Bëhet me dije se vendimi u mor për të parandaluar që spitalet e NHS të mbyten nga qindra mijëra raste të reja të pacientëve të sëmurë rëndë me COVID.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë që shërbimi shëndetësor do të ishte më i përgatitur sot nëse një virus tjetër vdekjeprurës shfaqet në të ardhmen e afërt, sipas shkencëtarëve.
“Çdo dimër, edhe para COVID, spitalet mbusheshin”, tha Prof. Rowland Kao i Universitetit të Edinburgut.
“Kur erdhi sëmundja, NHS thjesht nuk ishte në gjendje të duronte më. Dhe nuk ka shenja se do të jetë ndryshe herën tjetër. Në të vërtetë, ka të ngjarë të jetë më keq”, shtoi ai.
As nuk ka asnjë provë që vendi i ka kuptuar pasojat psikologjike të shkaktuara nga vendosja e kombit në izolim, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
“Mund të kishte qenë mesatarisht efektive për reduktimin e infeksionit, por nënvlerësoi nevojën për lidhje, kontakt dhe komunitet”, tha Dominic Abrams, profesor i psikologjisë sociale në Universitetin e Kent: “Dukej se nuk kishte pothuajse asnjë strategji për të përmbushur ato nevoja themelore. Plagët sociale dhe psikologjike mbeten të gjera dhe të thella.”
Dhe ndërsa distancimi social, veshja e maskave dhe përdorimi i testeve u përdorën gjerësisht, nuk pati asnjë përpjekje të mëvonshme për të kuptuar dobinë dhe rëndësinë e tyre, sipas Prof Paul Hunter i Universitetit të Anglisë Lindore.
Ndryshe, implikimet ndërkombëtare u theksuan nga Andrew Shepherd, drejtor i Rrjetit Këshillues për Varfërinë Kronike.
“Bllokimet nuk janë të përshtatshme për çdo vend. Gjatë pandemisë, kombet më të pasura ushtruan presion ndaj vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme për të futur bllokime, me pasoja katastrofike.”
“Shumica e këtyre vendeve nuk ishin në gjendje të zbusin humbjen shoqëruese të vendeve të punës, të ardhurave dhe bizneseve në të njëjtën mënyrë si ne në Mbretërinë e Bashkuar, dhe rezultati ishte varfërimi masiv, nga i cili do të duhen vite për t’u rikuperuar”, shtoi Shepherd.
Dr. Michael Shef i Universitetit të Southampton pranoi se bllokimet ishin një komponent jetik i çdo reagimi pandemik.
“Por ne kemi nevojë për bllokime më të zgjuara”, tha Shef.
Raportohet se përvjetori është shënuar edhe nga grupi COVID-19 Beeaved Families for Justice në Mbretërinë e Bashkuar, i cili përbëhet nga pothuajse 10,000 njerëz.