Mësimi online në distancë, ministria me grup të ekspertëve për vlerësimin e nxënësve

06 prill 2020 | 14:56

Ka tri javë që ka filluar të mbahet mësimi në distancë me vendim të Ministrisë së Arsimit Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), me qëllim parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka thënë se mësimi në distancë ka tejkaluar pritshmërinë e tyre dhe po del të jetë shumë i suksesshëm.

“Mësimi në distancë ka filluar thuajse që 3 javë, informacionet e para që i kemi prej komunave prej agjencive tona tregojnë për një përfshirje të konsiderueshme, mbi 90 për qind të fëmijëve dhe të mësimdhënësve në këto aktivitete”.

“Reagimi përgjigjja e institucioneve dhe punëtorëve arsimorë ka qenë  përtej pritshmërie tona, edhe si aspekt sasiore dhe cilësore. Edhe orët që i kemi përgatitur online që po jepen në ‘RTK’ dhe në platformën tonë në ‘YouTube’ dhe ‘E-platformën’ që do të hapet tash kanë arritur në një nivel më të lartë se që e kemi menduar”, ka thënë ai.

Rexhaj ka thënë se tashmë kanë filluar mësimin edhe në gjuhën turke dhe boshnjake kurse në gjuhën serbe nuk kanë hasur në gatishmërinë e drejtorive të këtyre komunave.

“Ne jemi të obliguar të organizojmë mësimin e detyruar 1 deri 9 për të gjitha komunitetet në Kosovë  në të gjitha gjuhët mësimore, ka filluar implementimi i mësimit në gjuhën turke dhe boshnjake ku incizimet organizohen në Prizren, mirëpo edhe për shkollat e mesme është kërkuar të fillojë ato që punojnë me korikulat e tona”.

“Sa i përket shkollave që mësojnë në gjuhën serbe, ne u jemi drejtuar drejtorëve të arsimit në këto komuna që të na dërgojnë emrat e mësuesve të cilët do të përfshiheshin në mësimin në distancë, deri tash kemi pasur disa reagime, por nuk janë reagime substanciale. Ministria është shumë e gatshme t’i përfshijë të gjitha shkollat në Kosovë në këtë proces”, është shprehur ai.

Rexhaj ka theksuar se sa i përket vlerësimit kanë krijuar një grup të ekspertëve për këtë çështje dhe brenda ditëve do tu dërgohet mësimdhënësve se si t’i vlerësojnë nxënësit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkë me zëvendësministrat…