
Mësimi që po merr Donald Trumpi, me një kosto të lartë
Robert Kagan
Themeluesit e Shteteve të Bashkuara e dinin se amerikanët, për mirë apo për keq, kishin një dëshirë të pangopur për tregtinë ndërkombëtare.
“Janë po aq të lidhur me ujin sa breshkat dhe shpendët detarë,” vëzhgonte John Adams, “dhe dashuria për tregtinë, me gjithë komoditetet dhe kënaqësitë që sjell, është një zakon në natyrën e tyre, aq i pandryshueshëm sa vetë natyra.”
Që në vitin 1785 ai parashikonte se amerikanët do të detyroheshin të krijonin “lidhje me Europën, Azinë dhe Afrikën”, dhe këshillonte se “sa më shpejt t’i organizojmë këto lidhje në një sistem të mençur, aq më mirë do të jetë për ne dhe për fëmijët tanë.”
Thomas Jefferson do të kishte preferuar të ndalonte çdo tregti me pjesën tjetër të botës dhe të mbështetej tek virtytet e thjeshta të “fermerit të lirë”, por ai e dinte se kjo ishte e pamundur. “Populli ynë ka një prirje për lundrim dhe tregti… dhe shërbëtorët e tyre kanë detyrimin të përllogarisin çdo veprim mbi këtë fakt.” Edhe ai që shpesh është karikaturuar si “xheksonian”, vetë Andrew Jackson, nuk qëlloi asnjëherë me armë si president, por negocioi më shumë marrëveshje tregtare me fuqitë e huaja sesa të gjithë paraardhësit e tij.
Dashuria amerikane për tregtinë e bënte të vështirë përdorimin e saj si armë kundër kombeve të tjera.
Kur Jefferson harroi mësimin e vet dhe u përpoq të vendoste embargo ndaj tregtisë me Britaninë e Madhe në vitin 1807, si përgjigje ndaj abuzimeve të flotës britanike kundër tregtarëve amerikanë në det të hapur, përpjekja e tij pati efekt të kundërt, duke nxitur madje edhe biseda për shkëputje nga Unioni në shtetet e New England-it, që ishin më të varurat nga kjo tregti. Rezultoi më e lehtë të bindje amerikanët për të mbështetur një luftë të vërtetë me armë ndaj Britanisë, sesa një luftë tregtare.
Donald Trumpi tani po e mëson “në mënyrë të dhimbshme” se sa e ndjeshme është Amerika kur bëhet fjalë për luftërat tregtare.
Jo sepse Shtetet e Bashkuara nuk kanë, të paktën teorikisht, avantazh. Tregu amerikan është më i dëshiruari në botë dhe çdo kufizim në aksesin ndaj këtij tregu duhet të dëmtojë më shumë vendet e tjera sesa vetë Shtetet e Bashkuara. Raporti i tregtisë ndërkombëtare me PBB-në në SHBA është rreth 25 për qind, krahasuar me më shumë se 60 për qind mesatarisht për të gjitha vendet e tjera. Në Gjermani, tregtia e jashtme përbën 90 për qind të PBB-së. Kjo, teorikisht, duhet ta bëjë atë të ndjeshme dhe t’i japë SHBA-së përparësi.
Por në praktikë, amerikanët kanë treguar vazhdimisht se kanë një prag shumë të ulët tolerance për dhimbjet e një lufte tregtare.
Jefferson nuk gabonte kur besonte se Britania varej shumë nga tregtia me SHBA, kur nisi embargon në vitin 1807; ajo që ai nuk parashikoi ishte se vetë qytetarët e tij do të dorëzoheshin para Britanisë.
Problemi është, ose të paktën ka qenë deri më tani, demokracia! Më konkretisht, politika zgjedhore në një sistem federal ku interesat e ngushta lokale mund të kenë ndikim të gjerë në politikën kombëtare.
Një mosmarrëveshje tregtare mund të dëmtojë vetëm një sektor të ekonomisë, por nëse ai sektor përkon me një bllok të rëndësishëm votuesish, kjo mund të vendosë Shtetet e Bashkuara në një pozitë të pafavorshme në përballje me një fuqi tjetër, teorikisht më të dobët.
Një shembull i mirë i kësaj ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, përpara se Shtetet e Bashkuara të përfshiheshin në luftë dhe kur Woodrow Wilson përpiqej të manovronte midis bllokadave britanike dhe sulmeve të nëndetëseve gjermane ndaj transportit transatlantik, duke u përpjekur me dëshpërim të ruante neutralitetin amerikan.
Në atë kohë, SHBA ishte shumë më pak e varur nga tregtia ndërkombëtare; ajo përbënte vetëm 11 për qind të PBB-së. Por, siç mësoi Wilson, edhe dëmi në sektorë të veçantë të ekonomisë mund të sillte trazira politike.
Megjithëse, fjala vjen, ai personalisht anonte nga britanikët, kërcënimet e Londrës për të përfshirë pambukun si kontrabandë lufte tërbuan bazën kryesore elektorale të demokratëve në jug.
Sekretari i Thesarit, William Gibbs McAdoo, kujtonte se kishte kaluar “më shumë net pa gjumë duke menduar për pambukun” sesa për çdo gjë tjetër gjatë kohës së tij në detyrë. Netët e tjera pa gjumë i kalonte duke u shqetësuar për gjetjen e tregjeve për grurin e rajoneve të Midwestit, një pjesë e madhe e të cilit ishte blerë nga Gjermania dhe vende të tjera europiane para shpërthimit të luftës.
Këta sektorë specifikë, për shkak se përfshinin shtete dhe rajone që ishin thelbësore për koalicionet politike kombëtare, kishin një ndikim në vendim-marrjen amerikane, që i tejkalonte përmasat e tyre reale në ekonominë amerikane.
Trump me siguri beson, ashtu si Jefferson dikur, se bota ka më shumë nevojë për Amerikën sesa Amerika për botën – dhe mund të ketë të drejtë, të paktën në teori.
Problemi është se blloqet e veçanta votuese kanë më shumë rëndësi për të sesa ndjekja e një lufte tregtare, siç e ka treguar vazhdimisht gjatë të dy mandateve të tij.
Në mandatin e tij të parë, dëmi që iu shkaktua fermerëve nga tarifat mbi importet ishte politikisht aq i madh sa që ai u detyrua të shpenzonte një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga tarifat, për t’u kompensuar atyre humbjet.
Hezitimet dhe ndryshimet në valët më të fundit të tarifave këtë vit kanë qenë po ashtu të motivuara nga dëshira për të mos larguar votuesit republikanë në shtete të caktuara – shtete veriore që mbështeten shumë tek tregtia me Kanadanë dhe shtete me industri automobilistike, që do të pësonin humbje të mëdha nga tarifat mbi pjesët e makinave, çelikun dhe aluminin që vijnë nga Meksika dhe Kanadaja.
Nuk është rastësi që ndër tarifat e para “hakmarrëse” nga europianët ishin ato kundër Harley-Davidson dhe uiskit amerikan.
Kombet e tjera mund të njohin më mirë historinë sesa Trump dhe e kanë kuptuar se vendosja e tarifave mbi sektorët e ekonomisë që godasin votuesit e Trump-it, mund të ketë ndikim përtej vlerës së tyre ekonomike.
Shtetet e Bashkuara janë një vend i ndarë politikisht pothuajse më dysh, prandaj grupet margjinale të votuesve mund të kenë një efekt të madh.
Kjo e dobëson ndjeshëm avantazhin e Amerikës.
Do të ishte ndryshe, nëse mbështetësit e Trump-it do të ishin të gatshëm të duronin vështirësi ekonomike për të treguar përkushtimin ndaj filozofisë MAGA.
Siç e tha senatori Tommy Tuberville nga Alabama: “Do të ketë pak dhimbje me tarifat,” por “pa dhimbje, s’ka fitime.”
Por problemi për Trump-in është se, deri më tani – ashtu si në të kaluarën – edhe vetë votuesit e tij nuk tregojnë shumë durim për të përballuar dhimbje. / The Atlantic – Bota.al