Mesiqi: Serbia është problemi i rajonit, s’mund ta arrijë Kosovën në asnjë mënyrë

07 nëntor 2021 | 13:09

Problemi i rajonit tonë është se pas luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, Serbia, e cila filloi luftën, nuk përjetoi katarsis pas luftës. Kështu ka thënë ish-presidenti kroat, Stjepan Mesiq në një bisedë me gazetarët në Baku, shkruan “Al-Jazeera”.

“Dhe ata që erdhën në pushtet në Serbi nuk ishin kundër Millosheviqit sepse ai shkoi në luftë, por sepse ai nuk e fitoi luftën”, ka thënë Mesiqi, një nga pjesëmarrësit në Forumin e 8-të të Baku-s.

Sipas tij, në anën tjetër është Kroacia, e cila në masë të madhe ka ruajtur marrëdhëniet që ekzistonin në kohën e Tugjmanit, i cili ndante Bosnjë e Hercegovinën (BeH) me Millosheviqin.

“Tani keni ata trashëgimtarë që mendojnë se ka ardhur koha që BeH-ja të ndahet përsëri”, ka paralajmëruar ai.

Më tutje, Mesiqi ka theksuar edhe çështjen e mosnjohjes së Kosovës, për çfarë ka thënë se politika serbe është “shumë agresive”.

Megjithatë, ai beson se Kosova është një “çështje teknike” dhe Serbia nuk mund ta arrijë Kosovën në asnjë mënyrë.

“Është një iluzion. Ata provuan gjithçka dhe tani kanë vendosur të prishin marrëdhëniet fetare që janë krijuar në Mal të Zi. Më duket se është e përkohshme, por e gjithë kjo lë shumë nervozizëm në rajon”, ka thënë Mesiqi, duke fajësuar edhe Bashkimin Evropian, sepse sipas tij nuk i ka zgjidhur disa nga problemet e brendshme.

“Sot, Bashkimi Evropian nuk ka një lider që ka vizion. Ju keni zyrtarë që i mbajnë gjërat, por nuk ofrojnë rrugëdalje. Ne nuk kemi liderë që do të tërheqin vendet që nuk janë në Bashkimin Evropian për t’iu bashkuar BE-së sa më shpejt të jetë e mundur. Nga njëra anë ka humbur entuziazmi i atyre që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe nga ana tjetër ju jeni lodhur duke u anëtarësuar. Natyrisht, këta liderë nuk e dinë se fati i Evropës është në bashkimin e saj. E gjithë kjo vonesë në zgjerimin e Bashkimit Evropian dëmton vetë BE-në dhe politikën botërore”, ka thënë Mesiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nga ndeshjet me rivalitetin më të madh në histori…