Mësohet e ardhmja e Ansi Nikës
Ansi Nika u largua këtë verë nga Laçi pas një sezoni e gjysmë me fanellën bardhezi. Më parë anësori i krahut të djathtë ka qenë pjesë e Vllaznisë, Teutës, Kukësit dhe Tiranës. Në fillim të sezonit pati një ofertë nga Gjilani dhe e pranoi atë.
Pjesën e parë të sezonit shkodrani ka qenë një nga më të spikaturit dhe është një nga lojtarët më të dashur të tifozëve. Së fundmi ka pasur lajme për një largim të tijin nga Gjilani, gjë që është mohuar nga klubi dhe nga vetë Nika.
“Me anë të kësaj shkrese mohojmë informacionet e fundit të dala nga mediumet online, për largimin e futbollistit tonë Ansi Nika. Futbollisti në fjalë ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe ai do të jetë pjesë e skuadrës të paktën deri në këtë afat kohor. Gjithashtu klubi njofton se përveç lojtarëve të larguar ditëve të fundit, pjesa tjetër e ekipit momentalisht mbetet e pa prekur”, shkruan klubi i Gjilanit.
Në të njëjtën linjës është edhe Nika, që në llogarinë e tij në “Facebook” shkruan: “Për të gjithë ‘Skifterat’, jam pjesë e Gjilanit dhe do jem të paktën deri në përfundim të kontratës. Respekt për ‘Skifterat’, jeni të mrekullueshëm. Forca Gjilani”.