Mësohet numri i kosovarëve në Gjermani
Më shumë se 2.6 milionë nga 19.3 milionë banorë në Gjermani me prejardhje emigranti vijnë nga Bullgaria, Rumania, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Kosova, tregojnë të dhënat më të fundit të censusit nga Zyra Federale Gjermane e Statistikave, Destatis.
Raporti, i publikuar më 1 gusht, thotë se në vitin 2017, një total prej më shumë se 19.3 milionë gjermanë kishin prejardhje emigrante – një rritje prej 4.4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Rezultatet bazohen në një mikrocensus të kryer në fund të vitit të kaluar. Raporti përcakton një prejardhje emigranti “nëse ata ose të paktën një nga prindërit e tyre, nuk ka lindur me shtetësi gjermane”.
Nga 2.6 milionë njerëz me prejardhje nga Ballkani, 859,000 kanë rrënjë në Rumani, 398,000 në Kroaci dhe 273,000 në Bullgari, duke arritur në 1.5 milionë emigrantë nga tre vendet më të reja anëtare të BE’së.
Përveç kësaj, të dhënat përfshinin 373,000 boshnjakë, 433,000 kosovarë dhe 324,000 serbë në Gjermani, të cilët përbëjnë mbi 1.1 milion njerëz nga tre shtetet ish-jugosllave.
Shumica e njerëzve që janë shpërngulur nga Ballkani, janë më të rinj se mesatarja, tregojnë statistikat.
Mosha mesatare e njerëzve nga këto vende është midis 28.4 vjeç – për kosovarët – deri 39.5 vjeç – për kroatët. (reporter.al)