Mësohet se ku jetojnë njerëzit më të pasur në Bashkimin Evropian
Banorët që jetojnë në perëndim të Londrës janë gjashtë herë më të pasur se mesatarja e europianëve, ndërsa banorët e pjesës veriperëndimore të Bullgarisë janë tre herë më të varfër, sipas një studimi të publikuar sot nga instituti europian i statistikave, Eurostat.
Në BE dhe në mesin e shteteve anëtare ekzistojnë dallime të konsiderueshme, thekson Eurostat në deklaratë.
Insituti ka krahasuar rajon për rajon PBB-në për banorë e shprehur në “standartin e fuqisë blerëse’’, domethenë duke marrë në konsideratë dallimet e çmimeve që ekzistojnë midis zonave të ndryshme.
Banorët më të pasur në BE jetojnë në lagjet e pjesës perëndimore të Londrës, ku PBB-ja arrin 611% nga ajo e mesatares së BE-së.
Më pas pozicionohen banorët e Dukatit të Madh të Luksemburgut (257%), të rajonit të Irlandës juglindore (217%), pastaj të Brukselit dhe Hamburgut, në Gjermani (200% në të dyja rastet), përcjell Atsh.
“Në 2016, 19 rajone kishin një PBB për banorë rreth 50% ose më shumë se mesatarje e BE, pesë në Gjermani, tre në Britani të Madhe, dy në Austri një respektivisht në Belgjikë, në Republikën Çeke, në Danimarkë, në Irlandë, në Francë, në Holandë, në Sllovaki dhe në Suedi në mënyrë të njëjtë si në Dukatin e Madh të Luksemburgut”, thekson Eurostat.