Mësoi notin në një pishinë 25-metërshe, 17-vjeçarja shkruan historinë olimpike
Notarja 17-vjeçare amerikane Lydia Jacoby, bëhet sportistja e parë nga Alaska që fiton medaljen e artë në një Olimpiadë, medalje që natyrisht i përket Amerikës.
Ajo triumfoi në finalen e 100 metrave bretkosë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, një rezultat i papritur për të dhe amerikanët. Jakoby nisi të mësojë notin pas këmbënguljes së prindërve të saj në një pishinë 25-metërshe (e vetmja në qytetin e saj), kur ishte 6 vjeçe. Prindërit ishin pronarë të disa varkave lundrimi dhe kishin frikë mos vajza e tyre binte në det, ndaj i mësuan notin, raporton “Telesport”.
Por Lydia tejkaloi çdo parashikim, pasi që 12 vjeçe kishte thyer mjaft rekorde. Pandemia dhe shtyrja e Lojërave Olimpike ishte një bekim për Lydia, pasi një vit më parë (janar 2020) koha që dha në kampionatin amerikan nuk i jepte mundësi të shkonte në Olimpiadë. Më pas erdhi “lockdown” dhe pishina afër shtëpisë, ajo 25-metërshe ku ishte stërvitur gjithnjë, u mbyll. Ajo u shpërngul me mamanë e saj në një qytet tjetër në Alaskë, aty ku ndodhej pishina e vetme 50-metërshe (përmasa olimpike).
“Kjo ishte hera e parë që notoja dhe stërvitesha në një pishinë të vërtetë. Edhe përgatitja para Olimpiadës dha frytet e saj”, ka thënë Lydia Jacoby. Stërvitja e fortë i dha mundësi këtë vit të arrinte një kohë që ta kualifikonte në Olimpiadë, ku mori medaljen e artë në 100 metra bretkosë me kohën 1’04”95.