Mësoni detajet për njohjen e patentshoferëve nga Gjermania

11 shkurt 2022 | 14:27

Tani e tutje konvertimi i patentshoferëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Gjermani do të bëhet pa provime shtesë. Një vendim të tillë e ka marrë të premten Këshilli Federal i Gjermanisë, me kërkesë të qeverisë federale.

“Për fat të mirë ua hoqëm edhe këtë pengesë!”, ka thënë Winfried Herrmann, ministr i Transporteve të Landit Baden Württemberg, në cilësinë e tij si kryetar i Konferencës së Ministrave të Transportit, teksa ka folur për njohjen e patentave nga Shqipëria dhe Kosova.  Politikani gjerman ka argumentuar se shumë emigrantë nga Kosova punojnë në zanate që kanë nevojë për një patentshofer, si kopshtari, ndërtimtari, dhe ne nganjëherë ua vështirësojmë jetën më shumë se ç’duhet.

Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare të Gjermanisë (Bundesanzeiger), me shumë gjasa brenda dy javësh.

Parimi i vendbanimit të rregullt

Rregullorja e re mundëson njohjen e pothuajse të gjitha kategorive të patentave nga Kosova dhe Shqipëria në Gjermani.

Rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë një vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të vinin këtu, i ka thënë “DW”,  Matthias Borowski, zëdhënës i Ministrisë së Mobilitetit të Landit të Berlinit.

Kjo do të thotë se kush ka ardhur pa patentshofer dhe e ka vendbanimin e rregullt në Gjermani, nuk mund të shkojë për pushime në Kosovë ose Shqipëri dhe të bëjë aty patentën. Ky fenomen, që në Gjermani njihet nën termin “turizëm patentash” është i ndaluar. “Patentat e marra gjatë pushimeve nuk do të njihen në Gjermani”, ka thënë Borowski .

Por çfarë do të thotë vendbanim i rregullt? Kjo përcaktohet nga koha e qëndrimit në një vend brenda një viti, nga i ashtuquajturi “rregulli i 185 ditëve”: “Sipas rregullit të 185 ditëve, vendi i banimit të rregullt është vendi ku banon së paku 185 ditë në vit”.

Shkurt. Nëse një emigrant rezident në Gjermani dëshiron të bëjë patentshofer në Shqipëri ose Kosovë ai duhet t’u dëshmojë organeve gjermane se ka banuar së paku 185 ditë në vendin ku ka bërë patentën. “Dhe e rëndësishme është, që patenta të bëhet në atë qytet, ku ke qenë i regjistruar”, ka sqaruar Borowski.

Dallime në datat e lëshimit

Rregullorja e re bën një dallim në njohjen e patentave, në varësi të datës së lëshimit të tyre. Patentat që janë lëshuar në Shqipëri pas datës 24 janar 2017 dhe në Kosovë pas datës 1 mars 2018 do të njihen menjëherë. Patentat e lëshuara para këtyre datave do të kontrollohen më parë nga Enti Federal i Transportit Motorik (Kraftfahr-Bundesamt).

“Këto data janë negociuar me autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë”, i ka thënë “DW” një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale. “Vetëm pas këtyre datave mund të sigurohet që lejet e drejtimit të automjeteve të lëshuara në Kosovë ose Shqipëri, janë bërë pasi më parë është bërë një kurs teorie dhe praktike”, ka thënë ajo.

Për patentat e lëshuara më parë, autoriteti përkatës gjerman në Flensburg, do të sqarojë vërtetësinë e dokumentit, duke kontaktuar organet përkatëse në Kosovë dhe Shqipëri, “Se sa kohë do të marrë kjo procedurë, kjo do të varet nga koha që do t’u nevojitet organeve në Shqipëri dhe Kosovë për të dhënë përgjigje”, ka thënë zëdhënësja.

Për ambasadorin e Shqipërisë në Berlin, Artur Kuko, ka përfunduar këtu një rrugëtim pesëvjeçar, që ka zënë fill në janar 2017, kur ai ka dorëzuar në Ministrinë gjermane të Transporteve kërkesën për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit. “Kjo njohje do t’i lehtësojë dukshëm përpjekjet e bashkëqytetareve tanë qe janë vendosur ligjërisht ne territorin e RFGj për tu integruar sa me shpejt dhe me sa me pak kosto financiare ne jetën e vendit”, ka thënë Kuko për “DW”.

“Dhurata më e bukur për ditëlindje”

Ndërsa Faruk Ajeti, ambasador i Kosovës në Berlin, e ka cilësuar këtë lajmin më të mirë që Gjermania ia dhuron Kosovës në prag të pavarësisë.

“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Republikën e Kosovës dhe flet shumë për raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona. Kjo është një nga dhuratat më të mira që Gjermania mund t’ia ofronte Kosovës në prag të festimit të ditëlindjes së 14-të Pavarësisë se Kosovës”, i ka thënë Ajeti “Deutsche Welles”.

“Kjo marrëveshje ka impakt te madh sidomos ndaj atyre qe janë ne marrëdhënie pune dhe ne mungese te kësaj marrëveshjeje kane qenë të hendikepuar t‘i kryejnë obligimet e tyre”, ka thënë ambasadori Ajeti.

Kosova e ka shtruar kërkesën për njohjen e patentave në gusht të vitit 2018. Ishte një nga veprimet e para të paraardhësit të Ajetit, ish-ambasadorit Beqë Cufaj, për të një nga sfidat personale, që kjo marrëveshje të arrihej së bashku me Shqipërinë. Dy ambasadorët Cufaj dhe Kuko dhe stafet e tyre diplomatike nuk kanë reshtur së lobuari për këtë çështje, qoftë te dy ministritë përgjegjëse, ajo e transporteve dhe brendshme, qoftë edhe te konferencat përkatëse të ministrave të landeve. Tema e patentave, megjithëse e karakterit teknik, ishte e pranishme në çdo takim dypalësh, madje edhe deri te ish-kancelarja gjermane Angela Merkel.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Inspeksionit në Prishtinë, pas njoftimit për mbindërtimet që…