“Mësova si të gjuaja me kallashnikov”, ish-ushtarja e UÇK-së rrëfen tmerret e luftës

10 tetor 2024 | 09:29

Ish-ushtarja e UÇK, Hyrije Veliu rrëfeu tmerret që përjetoi gjatë luftës në Kosovë, në një intervistë për emisionin Top Story.

Ajo i la auditorët e Universitetit të Prishtinës në prill të vitit 1998 për t’iu bashkuar UÇK-së, duke treguar detyrat e saj si ushtare dhe luftën në fronte të ndryshme.

“Unë pata bërë një listë me këngët e luftës, ato këngë që ne i patëm mësuar prej atyre filmave “Partizanë”. Kënga e ‘Mëmëdheut’, kënga e ‘Flamurit’. Me ato këngë kemi dalë, kemi marshuar.

Ka qenë prilli i ’98 kur kam shkuar dhe kam veshur uniformën.

Kemi dalë dhe kemi mbledhur vajzat në fshatrat e Drenicës për t’i bërë ushtare. Kemi filluar një përgatitje. Ushtrime fizike, ushtrime ushtarake, mësime teorike…

Nuk kisha ndonjë njohuri për armët. Në Prishtinë kisha një revole që e mbaje për sigurinë personale. Por ku shkuam në vijën e frontit, revolja nuk të kryente punë. Mësova të punoja me kallashnikovin, si të vendosnim pjesët, si të gjuanim breshëri. Atë armë kam mbajtur. Mbanim armët në kurriz dhe vargu kur iknim për në Shqipëri bëhej i madh. Kur ktheheshim nga Shqipëria, këmbët i lidhnim me litarë që të mos plasnin damarët nga pesha e madhe që mbanim mbi shpinë. Arma normal na u bë pjesë e trupit, sepse ishte mjet që na mbronte jetën.

Kur kishte luftime na zgjonin granatat që fillonin pa u çel drita e ditës. Kryesisht zgjoheshim shumë herët dhe puna e parë që bënim ishte të rreshtoheshim dhe të ngrinim flamurin. Pas asaj ceremonie ndaheshin detyrat. Unë nga Drenica kam lëvizur dhe pjesën më të madhe të luftës e kam kaluar në pjesën e Dukagjinit, ku komandant kishim Ramush Haradinajn. Aty Ramushi gjithmonë kërkonte vullnetarë për vëzhgues. Ata kalonin nga zona e lirë në territorin armik.

Një prej detyrave të mia ka qenë të bëja raportimin e lajmeve që dëgjoja nga stacione të ndryshme. Kisha një radio të vogël, sepse televizor nuk kishim. Dëgjoja lajmet dhe përgatitja raportin për komandantin.

Kishim frikë, sepse frika është njerëzore. Kishim një qëllim, një kauzë. Ajo kauzë na bënte që ta mbysnim frikën dhe të shkonim përtej saj. Zakonisht kur luftohej, serbët fillimisht hidhnin granata. Ata asnjëherë nuk afroheshin. Ata hidhnin granata për të na lodhur.

Luftimet më të afërta që unë kam përjetuar kanë qenë ato në Gjakovë. Kjo ka qenë thuajse në fund të luftës dhe e kishim hyrë si brigadë në qytetin e Gjakovës. Ne qëndronim të fshehur sepse policia dhe ushtria serbe ishte gjithandej, por përpiqeshim që të organizoheshim. Populli nga frika merrte për të ikur dhe vriteshin. Ishte më mirë për ata që të ruanin qetësi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i policisë në Florida ka një paralajmërim për të…