Messi dhe Suarez kanë shënuar sa 74 klube
Pasi te Barcelona kaloi koha e “MSN”-së (Messi-Suarez-Neymar) në sulm tri sezonet e fundit, kur katalanasit verën e kaluar humbën një pjesë kyç me brazilianin që u transferua nga Spanja në Paris (te PSG-ja).
Pjesa e mbetur (“MS”), me dyshen Messi-Suarez është treguar mjaft efektive: aq mirë saqë i kanë shënuar 42 gola në La Liga, të dy së bashku, gjatë sezonit 2017-2018 (22 argjentinasi dhe 20 uruguaiani).
Një total të tillë golash nuk kanë arritur ta regjistrojnë ende 74 nga klubet e pesë ligave kryesore evropiane: në këtë mes është edhe Atletico e Madridit (skuadër që ndodhet në vendin e dytë pas Barcelonës në La Liga dhe rivale direkte për titullin kampion) që ka shënuar vetëm 41 gola në total.
Duke marrë në konsideratë vetëm kategorinë superiore spanjolle, në fakt, të vetmet klube që ka shënuar më shumë se Messi dhe Suarez janë Reali i Madridit (62), Valencia (49), Real Betis (43), Celta Vigo (43) dhe Real Sociedadi (47). Ndërsa për sa u përket skuadrave angleze, vetëm Manchester City (79), Manchester United (53), Liverpooli (65), Tottenhemi (53), Chelsea (50) dhe Arsenali (51), ekipe që megjithatë renditen mes shtatë vendeve të para në Premier Ligë, kanë shënuar më shumë se dyshja e Barçës.
Çiftit këtë janar iu bashkua Coutinho, i ardhur nga Liverpooli, të cilit i mjaftuan pak ndeshje për bërë tifozët të harrojnë Neymarin (eurogol në fitoren 6-1 të fundjavës së kaluar). E në ndeshjen e radhës (sot ndaj Las Palmasit) mendohet të jetë pikërisht braziliani që do “udhëheqë” sulmin e Barçës, pasi Valverde hipotizoi mungesën e dyshes Messi-Suarez në prag të sfidës të së dielës ndaj Atleticos.