Messi e njofton Koemanin se e sheh veten larg Barçës
Ashtu siç ishte njoftuar më herët, Lionel Messi ndërpreu pushimet për t’u takuar me trajnerin e ri të Barcelonës, Ronald Koeman, ndërsa përballja mes të dyve ishte pranuar edhe nga drejtori teknik i katalanëve Ramon Planes.
Ky i fundit e quajti një takim normal atë mes numrit 10 të “blaugranave” dhe trajnerit holandez, por në Spanjë janë të bindur se qëllimi i takimit ka qenë mbi të ardhmen e “pleshtit”, që gjithsesi mbetet ende një mister. Burime për mediet spanjolle raportojnë se Messi i ka konfirmuar trajnerit Koeman dyshimet e tij për të vijuar me fanellën e Barcelonës edhe për sezonin e ardhshëm. Siç bëhet me dije, zhgënjimi për humbjen 8-2 ndaj Bayernit ka qenë vetëm i fundit të radhë për Lionel Messin, që ia ka bërë të qartë trajnerit Koeman se e sheh veten “më shumë jashtë sesa brenda projektit të ri të Barcelonës”.
Pas 19 vitesh te Barcelona, periudhë në të cilën ka arritur të fitojë gjithçka në karrierë, në nivel individual dhe klubi, Lionel Messi duket i bindur të për kërkuar një sfidë të re, por nga ana tjetër e ka të qartë që largimi nuk mund të jetë aq i lehtë. Kjo pasi argjentinasi ka edhe një vit kontratë me Barcelonën dhe këta të fundit nuk mund të heqin dorë lehtë nga futbollisti më i mirë në botë. Gjithsesi mbetet për t’u parë edhe puna bindëse që do të bëjë Ronald Koeman, i cili ka marrë përsipër të bindë numrin 10 të vijojë eksperiencën e tij te Barcelona.