Messi godet PSG-në: Jam i vetmi kampion bote që nuk mori mirënjohje nga klubi
Aventura e Lionel Messi te PSG-ja filloi ashtu si duhet, por nuk përfundoi si histori e kampionëve, kjo për vetë faktin se parisienët nuk e trajtuan si të tillë kur u largua.
Në një intervistë të dhënë, argjentinasi që aktualisht aktivizohet te Inter Miami zbuloi se ai e kuptonte armiqësinë e tifozëve në Paris pas fitores së trofeut nga Kombëtarja e tij në finalen e Kupës së Botës, e cila erdhi kundër vendit ku ai jetonte (Francës) dhe kontribuonte.
Për ta theksuar këtë pikë edhe më tej, shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” pretendon se ai ishte i vetmi lojtar i Argjentinës që nuk mori mirënjohje nga klubi pas triumfit në Kupën e Botës.
“Edhe pse nuk është se pata një periudhë shumë të bukur me Parisin, unë sërish u shpall kampion Bote si pjesëtar i atij klubi. Unë isha i vetmi lojtar nga skuadra e Argjentinës që nuk mori asnjë lloj mirënjohje nga klubi ku aktivizohej. Por, unë e kuptoj sepse në finale ishte Franca dhe prej fajit tanë ata nuk u konfirmuan si Kampionë të Botës”, ka thënë Messi.