Messi: Kurrë nuk kam menduar e as përpjekur për të qenë më i miri
Lionel Messi cilësohet si lojtari më i mirë në botë. Sulmuesi i PSG-së, fitoi për herë të shtatë në karrierën e tij “Topin e Artë” si asnjë lojtar tjetër duke treguar se është futbollisti më i mirë në botë. Ish-sulmuesi i Barcelonës, në një intervistë për “Francë Futboll”, tregon se asnjëherë nuk e ka menduar se ai është më i mirë, por gjithmonë ka luftuar për ëndrrat e tij.
“Unë kurrë nuk kam thënë, nuk kam menduar, apo as nuk jam përpjekur të pajtohem me këtë ide [për të qenë më i miri. Për mua është më se e mjaftueshme të konsiderohem apo të citohem si një nga lojtarët më të mirë në botë. Është diçka që nuk do të kisha guxuar kurrë ta imagjinoja apo ëndërroja. Nuk ndryshon asgjë për mua të jem më i miri apo jo. Dhe kurrë nuk u përpoqa të jem”, ka thënë Messi.
“Nuk e di nëse jam model që duhet ndjekur. Nuk më pëlqen të jem një i tillë apo të jap këshilla. Kam luftuar për ëndrrat e mia, në fillim ishte të isha lojtar profesionist, më pas u përpoqa të kaloj veten dhe të arrij objektiva të reja çdo vit. Në mes të gjithë kësaj, ka edhe një element fati. Kjo gjithashtu varet nga Zoti dhe besoj se ai zgjodhi që të më ndodhte e gjithë kjo”, ka deklaruar Messi.