Messi, legjendë e gjallë, thyen rekordin e Peles
Lionel Messi shënoi edhe kundër Valladolidit, pasi kishte ndëshkuar disa ditë më parë skuadrën e Valencias. Argjentinasi numëron tani 644 gola me fanellën e Barcelonës, duke u bërë futbollisti që ka realizuar më shumë gola me një klub të vetëm.
Ai rekord mbahej nga legjenda Pele, me të cilin Messi e ndau rekordin për disa ditë, pasi ishin të dy në kuotën e 643 golave. Braziliani sigurisht nuk është i mërzitur që sheh t’i thyhet një rekord i tillë nga sulmuesi i Barcelonës.
Vetë Messi, pas thyerjes së rekordit, ka bërë një postim në rrjetet sociale: “Kur nisa të luaj futboll kurrë nuk mendova se do të thyeja ndonjë rekord, veçanërisht jo atë që e mbante Pele. Mund vetëm të falënderoj këdo që më ka ndihmuar gjatë këtyre viteve, shokët e mi të skuadrës, familjen, miqtë e mi dhe këdo që më mbështet çdo ditë”.
Messi i është bashkuar Barcelonës që në moshën 13-vjeçare dhe ka debutuar në vitin 2004 me katalanasit.