Messi: Ne jemi Barça dhe gjithmonë synojmë të gjithë trofetë
Leo Messi mori të gjashtën “Këpucë të Artë” në karrierë, një çmim që e vlerëson argjentinasin si golashënuesin më të mirë evropian në sezonin e kaluar. Dhënia e trofeut u organizua në Barcelonë, ndërsa kapiteni i katalanasve shoqërohej nga bashkëshortja Antonela, dy fëmijët e tij, Thiago dhe Mateo, si dhe dy shokët e skuadrës, Luis Suarez dhe Jordi Alba. I pranishëm ishte edhe një delegacion i Barcelonës, i kryesuar nga presidenti Josep Maria Bartomeu. “Pa dyshim se Liga e Kampionëve është diçka e veçantë dhe çdo vit duam ta fitojmë atë, por jemi të vetëdijshëm se La Liga është gjëja më e rëndësishme. Ne gjithmonë e synojmë Ligën e Kampionëve, por kurrë nuk harrojmë La Ligan dhe Kupën e Mbretit, sepse jemi Barça dhe duam të fitojmë gjithçka. Dua t’i falënderoj ata që janë këtu, familjen time, kolegët e mi, bordin e klubit. Gjithmonë e them se pa shokët e mi të skuadrës kurrë nuk do të isha bërë i tillë. Ky çmim iu përket të gjithëve te Barcelona. Deri herën tjetër”, ka thënë Messi.
Kapiteni Blaugrana komentoi edhe pyetjet e disa fëmijëve të pranishëm: “Unë nuk jam shumë i ndërlikuar në shtëpi. Nuk bëj punë në shtëpi, gjithmonë kërkoj ndihmë për diçka”. Ai, gjithashtu, zbuloi se ka një gjumë të rëndë: “Merrem shumë me jastëkun derisa të më zërë gjumi, pastaj edhe po të kalojë një kamion pranë meje dhe nuk ndiej asgjë”.
Një pyetje tjetër e fëmijëve kishte të bënte me ushqimin: “Unë i kushtoj shumë rëndësi ushqimit dhe pushimit. Gjithmonë iu them fëmijëve të mi se është e rëndësishme të hanë mirë që të kenë forcë në shkollë. Ata kanë probleme të hanë perime, por ua bëj të qartë: ju duhen shumë për shëndetin”. Lidhur me veshjen, Leo shtoi: “Varet nga dita, nga mënyra se si ngrihem, por jam më rehat kur rri me tuta, sportiv. Kostumin e vesh për rastet më të veçanta”.