Messi nuk do të largohet kurrë nga Barça
Presidenti i Barcelonës, Jose Maria Bartomeu, ka dhënë një intervistë të gjatë për prestigjiozen “The Times” ku mbi të tjera ka folur për të ardhmen e Lionel Messit.
Argjentinasit i përfundon kontrata në qershor të 2021 dhe rreth kësaj çështje numri një i katalanasve është shprehur: “Mendoj se do ta kemi atë më gjatë se sa aq. Ai nuk dëshiron të largohet. I kemi thënë se mund të jetë përgjithmonë pjesë e Barcelonës. Ky është edhe projekti. Ne nuk duam të shesim lojtarët më të mirë që kemi, por përkundrazi, të sjellim lojtarë të rinj me talent për të qenë më të suksesshëm, më global, për të sjellë më shumë gëzim te tifozët tanë. Kjo është ajo që duam të bëjmë”.
Bartomeu u pyet edhe për tentativat e përfolura gjatë verës për blerjen e Paul Pogbas nga Manchester United. Për këtë çështje spanjolli deklaroi se klubi anglez nuk dëshiron ta shesë lojtarin, në rast të kundërt ai do të shohë çdo hipotezë, jo vetëm për francezin, por për këdo që i intereson.