
Messi për kohën te PSG-ja: Asnjë ditë nuk isha i lumtur
Lionel Messi ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë i kënaqur përgjatë dy vjetëve të kaluar te Paris Saint-Germaini.
Messi i ishte bashkuar PSG-së nga Barcelona, dhe në fazën e sulmit kishte bashkëlojtarë si Kylian Mbappe e Neymar.
Fituesi i Kupës së Botës ka folur në një intervistë dhënë për “Apple Music”, shkruan “Sky Sport” të premten.
Problemet financiare të Barcelonës bënë që Messi në vitin 2021, t’i bashkohej skuadrës parisiene.
Me PSG-në, Messi i fitoi dy tituj të kampionatit elitar të Francës.
“Gjithmonë e kisha në mendjen të luaja në ligën MLS. Më ka tërhequr dhe ishte diçka që doja ta bëja. Ato dy vjet nuk ishin të mira për mua. Nuk isha i kënaqur në asnjë ditë, me stërvitjet, ndeshjet. E kisha të vështirë të adaptohesha. E mendova t’i bashkohesha Inter Miamit sepse klubi po rritet vazhdimisht. Më pëlqeu ideja që të vija e ta ndihmoja klubin të bëhej i madh. E dija po ashtu se qyteti do t’i pëlqente edhe familjes time”, ka deklaruar ndër të tjera Messi.