Messi rishkruan historinë e Barcelonës
Barcelona fitoi Superkupën e Spanjës dhe ishte një triumf i veçantë për Lionel Messin. Ylli argjentinas e ngriti trofeun si kapiten, duke u bërë gjithnjë e më lider te Barça, ndërkohë që vendosi edhe një rekord të pabesueshëm.
Tashmë Messi është futbollisti që ka fituar me shumë trofe në historinë e Barcelonës, plot 33 të tilla. “Pleshti” ka lënë pas një tjetër legjendë, Andres Iniestën, i cili ka fituar 32 trofe dhe tashmë luan futboll në kampionatin japonez. Ndërkaq, Pique dhe Busquets kanë mbërritur në kuotën e 28 trofeve. Messi ka fituar 9 herë kampionatin spanjoll, 6 herë Kupën e Mbretit, 8 herë Superkupën, 4 herë Ligën e Kampionëve, 3 herë Superkupën e Evropës dhe 3 herë Kupën e Botës për klube.
Natyrisht, mungesa e trofeve me Argjentinën ndez debatin nëse Messi është realisht futbollisti më i mirë në planet, por mund të thuhet pa frikë që është një gjeni, i cili me ndihmën e duhur bën gjëra të pamendueshme për futbollistët e zakonshëm.