Messi shënon tre gola dhe shpallet ‘Lojtari i ndeshjes’ ndaj Bolivisë
Lionel Messi u rikthye më në fund të luajë për Argjentinën pas një periudhe prej 334 ditësh duke i argëtuar fansat e tij specialë në fitoren 6-0 ndaj Bolivisë në kualifikimet e Botërorit 2026. Ylli argjentinas u rikthye me tregolesh dhe me dy asistime, duke qenë i përfshirë në 5 gola dhe u shpall “Lojtari i ndeshjes”.
Futbollisti i Inter Miamit e inspiroi Argjentinën drejt fitores së radhës, ndërsa e regjistroi tregolëshin e dhjetë për Kombëtaren. 37-vjeçari u shpreh i lumtur pas ndeshjes, ndërsa thotë se “u ndie si fëmijë përsëri”. “Është një ndjenjë e mirë të luash këtu dhe ta ndiesh mbështetjen dhe ndjenjën që ta japin tifozët argjentinas.
Më bën të emocionohem kur i dëgjoj se si e thërrasin emrin tim. Ne të gjithë e shijojmë këtë lidhshmëri me fansat dhe ne duam të luajmë në shtëpi, e shijojmë këtë moment”, ka deklaruar Messi pas ndeshjes. Ai do të rikthehet në klubin e tij Inter Miami, por shpreson që të luajë sërish me fanellën e Argjentinës në muajin nëntor kundër Paraguait dhe Perusë.